Lidhje

Reforma territoriale, opozitës të drejtë vetoje


Kryeministri pranon kërkesën e së djathtës për garancitë mbi barazinë në komision dypartiak parlamentar

Në Shqipëri kryeministri Edi Rama tha ftoi sot opozitën të bëhet pjesë e reformës së re territorialo-administrative duke i garantuar asaj barazinë në komisionin parlamentar si dhe të drejtën e vetos. Komentet e tij zoti Rama i bëri gjatë ceremonisë së nënshkrimit të një marrëveshje me disa donatorë të huaj për asistencën teknike në realizimin e reformës dhe vijnë një ditë pasi opozita e kushtëzoi përfshirjen e saj pikërisht me garancitë për konsensus dhe të drejtë vetoje.


Një ngërc që në hapat e para të nisjes së reformës territorialo administrative për shkak të mospërfshirjes së opozitës, duket se mund të jetë tejkaluar. Pas deklaratave të djeshme të kësaj të fundit për të sanksionuar principin e konsensusit dhe të drejtën e vetos në komisionin parlamentar, kryeministri Edi Rama deklaroi sot se këto të drejta do t’i njihen opozitës: “Jo vetëm e dëshirojmë pjesëmarrjen e plotë të opozitës në konceptimin dhe në hartimin e projektit të reformës, por kemi të gjithë gatishmërinë që mbi bazën e praktikës së mirë të Komisioneve Parlamentare Bipartisane t’i njohim opozitës të drejtën e bashkëkryesimit të komisionit, si dhe të gjithë të drejtat që garantojnë barazinë në Komision, përfshirë edhe veton, siç është përdorur në praktikën e komisioneve të Reformës Zgjedhore”.

Kryeministri tha se shpresonte që këtë temë të madhe të politikës dhe interesit kombëtar ta mbante jashtë aksionit të vet antiqeveritar legjitim, tha ai: “Vizioni ynë i kësaj reforme nuk lidhet me asnjë interes partiak, në favor të një pale dhe kundër një pale. Për ne, kjo reformë është instrument modernizmi për vendin dhe shtysë e fortë për zhvillimin e integruar të tij, gjë për të cilën ne jemi të gjithë dëshmitarë, ky vend ka nevojë të dëshpëruar”.

Kryeministri nënvizoi rëndësinë e madhe të kësaj reforme për racionalizimin e burimeve njerëzore dhe financiare, shfrytëzimin e burimeve natyrore, modernizimin e shërbimeve dhe lehtësimin e investimeve private dhe të huaja. Elementë për të cilat bie dakort edhe opozita e cila gjithashtu është në favor të realizimit të kësaj reforme.

Pasdite pritet të mblidhet konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare për të diskutuar pikërisht mbi ngritjen e komisionit të reformës i cili do të ketë përbërje të njejtë mes palëve dhe dy bashkëkryetarë. Procesi do të mbështetet në të gjitha etapat e tij nga një asistencë ndërkombëtare, marrëveshja për të cilën u firmos sot, në prani të donatorëve të ndryshëm që financuan projektin për këtë,mes të cilëve edhe Shtetet e Bashkuara. Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu tha se ata e “nxisin Qeverinë të sigurohet në dëgjimin e zërave të të gjithë qytetarëve në këtë proces, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre të zgjedhur. Produkti më i mirë për vendin do të ishte një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe pjesëmarrëse", deklaroi ambasadori Arvizu.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG