Lidhje

Histori: Çfarë ka ndodhur më 31 janar?

  • Astrit Lulushi

Gun Powder Plot

Gun Powder Plot

1606 - Në Londër ekzekutohet Guy Fawkes; disa muaj më parë, më 5 nëntor, ai ishte përpjekur për të hedhur në erë parlamentin anglez, ndërsa mbreti Xhejms po bëhej gati të hapte punimet e sesionit. Komploti kishte për qëllim fillimin e një kryengritje të madhe të katolikëve anglezë, të cilët ishin lodhur me masat e ashpra ndaj tyre. Edhe pse komploti ishte organizuar nga një grup i vogël katolikësh, zbulimi i tij nxiti armiqësi ndaj të gjithë katolikëve anglezë dhe çoi në ligje më të rrepta. Anglia e feston zbulimin e Komplotit të Barotit më 5 nëntor me zjarre, fishekzjarre dhe djegie efigjish të konspiratorit.
1865 – Lufta Civile amerikane: Robert E. Lee emërohet komandant i përgjithshëm i forcave të Konfederatës. Vite më parë ai kishte refuzuar një ofertë nga presidenti Abraham Linkoln për t’ u bërë komandant i ushtrisë së Bashkimit. Ndjenjat e tij ishin me jugun. Gjeneral Lee ishte i martuar me vajzën e bijësuar të Xhorxh Uashingtonit. Pas luftës, presidenti Linkoln e fali gjeneralin e mundur, i cili qëndroi në hije a larg zhvillimeve politike të kohës, duke u bërë president i një kolegji të vogël në Virginian perëndimore. Robert E. Lee jetoi i respektuar nga të dyja palët e konfliktit, dhe nga populli. Vdiq më 1870 në moshën 68 vjeçare. Një autostradë që zgjatet nga kryeqyteti Uashington deri në Los Angeles, Kaliforni, mban emrin e tij, “Lee Highway”.
1929 - Erich Maria Remarque, lindur Erich Paul Remark, publikon në Berlin librin "Im Westen nichts Neues" (Asgjë të re nga fronti i perëndimit). Në një periudhë mbushur me re të një lufte të dytë, libri i Remarku kritikonte Luftën e Parë. “Unë shoh se si popujt në heshtje, pa e ditur, pa mend, me bindje, pa faj vrasin njëri-tjetrin.... se mendjet e mëdha shpikin armë dhe fjalë për ta bërë atë akoma më të rafinuar dhe të përjetshme”, thotë Remark me anë të protagonistit Paul Baumer. Nazistëve nuk u pëlqeu. Më 10 maj 1933, qeveria gjermane, me nismën e ministrit të propagandës, Joseph Goebbels, i shpalli të ndaluara dhe i dogji publikisht librat e Remarkut, i cili ikën nga Gjermania për të jetuar në Zvicër; gjatë kësaj periudhe mërgimi, Remark shkruan edhe romanin e njohur Tre shokët. Nazistët i vazhduan sulmet ndaj librave dhe karakterit të tij, duke thënë se ai ishte pasardhës i hebrenjve francezë dhe se mbiemri Remark, po të lexohet nga e majta në të djathtë jep Kramer (mbiemër i përhapur mes hebrenjve). Historianët thonë se çështja e mbiemrit vazhdon ende të citohet nga disa biografë të tij, përkundër mungesës së plotë të provave. Në vitin 1938, Remarkut iu hoq shtetësia gjermane; pas një viti ai emigroi në Shtetet e Bashkuara dhe më 1947 u bë shtetas amerikan. Remark vdiq me 1970, 72 vjeç, në nje klinike në Locarno, Zvicër
1929 - Leon Trotsky dëbohet nga Rusia. Ai u prit nga qeveria e Turqisë dhe u vendos në ishullin e Prinkipo, ku punoi për të përfunduar autobiografinë e tij dhe historinë e Revolucionit Rus. Pas katër vjetësh në Turqi, Trocki shkoi në Francë, më pas në Norvegji dhe në vitin 1936 iu dha strehim politik në Meksikë. Ai u vendos familjarisht në një shtëpi në periferi të kryeqytetit Meksiko, ndërsa në mungesë u shpall fajtor për tradhti gjatë spastrimeve që Stalini ndërmorri ndaj armiqve të tij politikë. Trocki mbijetoi një sulm me armë automatike në shtëpinë e tij, por më 20 gusht 1940, u bë viktimë e një komunisti spanjoll, Ramon Mercader, i cili e plagosi rëndë me sëpatë. Trotski vdiq të nesërmen në spital. Nga shqiptarët, Leon Trocki duhet të kujtohet, pasi në vitin vitin 1917, si komisar për çështje të jashtme, gjeti në arkivat e Rusise cariste dokumentin e Traktatit të Fshehtë të Londrës nënshkruar në prill 1915, midis Italisë, Anglisë, Francës dhe Rusisë për copëtimin e Shqipërisë. Dokumenti u bë publik, madje Austria e përktheu edhe në shqip, që çdo shqiptar të mund njihej me të.
1950 - Presidenti Harry Truman shpall publikisht zhvillimin e bombës me Hidrogjen. Para se të merrte një vendim, presidenti u takua me një grup shkencëtarësh për t’i pyetur se çfarë mendonin rreth një bombe të tillë. Shkencëtarët ishin ata që kishin punuar për ndërtimin e bombës atomike dhe shprehën rezerva, pasi nuk donin të bëheshin pjesë e ndërtimit të një bombe edhe më shkatërruese. Truman, nga që nuk po merrte një përgjigje të qartë, e humbi durimin; "A janë rusët në gjendje të zhvillojnë një bombë me hidrogjen? pyeti ai, dhe përgjigja ishte - "Po!" - "Atëherë çfarë dreqin presim, të na vijë bomba ketu?", dhe dha urdhër për fillimn e projektit. Pas 4 vjetesh, më 2 shkurt 1954 - presidenti Eisenhower raportoi se prova e parë e Bombës me Hidrogjen ishte kryer në vitin 1952 nën administratën Truman.
1995 - Presidenti Bill Klinton autorizon një kredi 20 miliardë dollarëshe për Meksikën për të stabilizuar ekonominë e saj.
Mendim i ditës
Kurrë mos e rrëzo një gardh nëse nuk e di pse është ngritur”.
Robert Frost

Trego komentet

XS
SM
MD
LG