Lidhje

Kujtohet me dhimbje aktori Hoffman


Philip Seymour Hoffman, aktori i suksesshëm i cili vdiq të dielën nga një mbidozë heroine në Manhattan, po kujtohet me dhimbje nga anëtarë të komuniteteve të Hollivudit dhe Broadwayt, si edhe nga nju jorkezët e lagjes së tij të Greenwich-it. Materiali në vazhdim na tregon mbi ndikimin e vdekjes së parakohshme të Hoffmanit në moshën 46 vjeçare, si edhe mbi abuzimin e substancave që morën jetën e tij.

Philip Seymour Hoffman, i cili fitoi një çmim Oscar si aktori më i mirë, për portretizimin e shkrimtarit Truman Capote, përgëzohej se luante personazhe që jetonin një jetë ekstreme.
Lajmi se Hoffman u gjet i vdekur në apartamentin e tij në lagjen Greenwich Village të Nju Jorkut, i tronditi thellë kolegët e tij aktorë si Kevin Costner.

“Është për të të ardhur keq, sepse kush e di se çfarë mund të kishte arritur ai? Por të paktën la pas trashëgiminë e asaj që ka arritur deri tani, dhe puna e tij flet vetë.”

Dje dashamirësit ndaluan jashtë ndërtesës ku ai jetonte në kujtim të tij. Lisa Rifkin foli rreth punës së Hoffmanit si udhëheqës i një teatri lokal dhe këshillues artistësh.

“Ai ishte një njeri i komunitetit, i cili interesohej për artet dhe kuptoi se natyra e artit është lidhja me njerëzit dhe komunitetin. Ai interesohej për komunitetin.”

Edhe pse në Greenwich Village jetojnë shumë njerëz të famshëm, pak nga ata janë aq të pëlqyer dhe të mirëpritur sa ishte Hoffmani në Entwine, një bar lokal ku shpesh takohej me miq, studentë, dhe aktorë të tjerë.

“Kur ai vinte këtu, ishte njeri i qetë. Nuk sillej siç pritet të sillet një yll i Hollivudit. Ishte thjesht i dashur dhe i pëlqente të fliste me njerëzit këtu. Jo vetëm me ne, por edhe me klientët. Jemi kënaqur shumë me të.”

Njerëzit e varur nga heroina shpesh e mbajnë të fshehtë sëmundjen e tyre, thotë doktori Stuart Kloda.

“Do të habiteshit me njerëzit që janë të varur ndaj drogës, duken shumë normalë, dhe janë të angazhuar në aktivitete të ndryshme, por thjeshtë janë funksionalë për shkaqe të ndryshme.”

Ndërsa trashëgimia e Philip Sejmur Hoffman-it si një prej aktorëve më të mëdhenj të gjeneratës së tij është e sigurtë, gjëja që është më pak e sigurt është se sa njerëz të tjerë të talentuar do të vdesin për shkak të drogës ose alkoolit.

Dhe se çfarë mund të kishte arritur Hoffman nëse do të kishte jetuar më gjatë dhe vazhduar të punonte deri në moshë të vjetër.
XS
SM
MD
LG