Lidhje

Raporti për Kancerin në Botë


Numri i rasteve të kancerit kudo në botë pritet që të rritet 57 për qind gjatë dy dekadave të ardhshme. Një raport i ri nga Organizata Botërore e Shëndetsisë parashikon atë që agjencia e quan një “katastrofë njerëzore,” dhe shpjegon se pasojat do të jenë më të rënda tek vendet në zhvillim.

Raporti për Kancerin në Botë i Organizatës Botërore për Shëndetsinë thotë se rastet e reja të kancerit do të rriten nga 14 milionë në vitin 2014 në 22 milion çdo vit brenda 20 viteve të ardhshme. Vdekjet nga kanceri po ashtu pritet të rriten nga 8.2 milionë në 13 milionë në vit.

Sipas Dr. Bernard Stewart, një nga redaktorët e raportit, vendet në zhvillim do të ndikohen më shumë nga kjo rritje. Më shumë se 60 për qind të rasteve ndodhin në Afrikë, Azi, dhe Amerikën Qendrore dhe të Jugut, ku ndodhin edhe 70 për qind të vdekjeve për shkak të kancerit.


“Për shumë nga vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare, rastet e kancerit janë më të shumta, për shkak të infeksioneve. Kanceri i qafës së mitrës tek gratë ndodh për shkak të infeksionit nga virusi papilloma dhe kanceri i mëlçisë ndodh për shkak të infeksioneve nga hepatiti.”

Rritja e incidenteve të kancerit në vendet në zhvillim, shton ai, është e lidhur edhe me ndikimin e industrializmit tek stili i jetesës dhe diagnostikimin e vonë të sëmundjes.


“Vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare shpesh kanë shërbime të dobëta klinike. Pra kanceri nuk diagnostikohet deri në një fazë të vonë. Kështu që, mundësia për mbijetesë e pacientëve me kancer është shumë më e ulët në këto vende.”
Raporti paralajmëron se beteja globale kundër kancerit nuk do të fitohet vetëm me trajtime dhe se ka nevojë urgjente për masa efektive parandaluese për të frenuar sëmundjen. Fushata vaksinimi, thotë Dr. Stewart, mund të zvogëlojnë ndjeshëm kancerët lidhur me infeksionet. Parandalimi i përhapjes së përdorimit të duhanit dhe alkoolit, ngritja e vetëdijes rreth obezitetit dhe konsumit të sheqerit mund të jetë vendimtare në kontrollin e kancerit.

Raporti për Kancerin në Botë, i bërë publik të martën në prag të Ditës Botërore të Kancerit, është një bashkëpunim i më shumë se 250 shkencëtarëve nga më shumë se 40 vende.
XS
SM
MD
LG