Lidhje

Histori: Çarë ka ndodhur më 5 shkurt?

  • Astrit Lulushi

Pompeii

Pompeii

62 - Tërmeti trondit Pompein, Itali; është llogaritur se kishte një magnitudë prej 6 ballësh. Qytetet Pompeit dhe Herculaneum u dëmtuan. Ky tërmet mund të ketë qenë shenjë paralajmëruese për shpërthim e vullkanit të Vezuvit në vitin 79, i cili shkatërroi plotësisht të dy qytetet; shkrimtari dhe filozofi Pliny i Riu, dëshmitar i asaj kohe, e përshkroi këtë zhvillimi në librin e tij të gjashtë të Naturës, De Terrae Motu (Mbi tërmetin).
1428 - Mbreti Alfonso V, urdhëron hebrenjtë e Sicilisë për të marrë pjesë në predikimet e konvertimit në të krishterë.
1859 - Vllahia dhe Moldavia bashkohen si rajon autonom në kuadër të Perandorisë Osmane, bashkim që çoi në lindjen e shtetit modern rumun.
1881 - Në Londër vdes skocezi Thomas Carlyle, historian, eseist, shkrimtar satirik, 85 vjeç, poet, filozof, enciklopedist, përkrahës i një sistemi elitist qeverisës të përbërë nga "ata që janë më në gjendje". Edhe pse Marksi dhe Engelsi ishin dakord me të për udhëheqje elitiste, ata hodhën plotësisht poshtë idetë e tij mbi demokracinë. Më 1854 Charles Dickens ia përkushtoi librin e tij “Hard Times” Carlyles, dhe ky gjithashtu e ndihmoi Dikensin për librin tjetër “The Tales of two Cities “(1859), duke i rekomanduar të lexonte librin e që Carlyle sapo kishte shkruar, Historia e Revolucionit Francez (3 vëllime). Biografët thonë se sjellja e tij a reputacioni kapriçioz, debatues, i vrenjtur, grindavec - ndikuar nga dhimbjet e vazhdueshme në stomak - i dhanë stilit të tij në prozë, një natyrë të çuditëshme të shkëlqyer, të ashpër, të prerë, të egër. Të menduarit e tij u ndikua shumë nga idealizmi gjerman. Thomas Carlyle gjithashtu shkroi biografinë e Schillerit.
“Today” nga Thomas Carlyle
Sot
(shqipërim)
Pra, agimi po vjen
Një tjetër Ditë e kthjellët:
Mendon ta lësh të iki
Larg pa e përdorur.
Nga përjetësia
Kjo ditë e re lindi;
Në përjetësi
Natën, do t'kthehet.
Preke sa më parë
Me sy asnjë s’e ka zënë
Shpejt përgjithmonë
Nga sytë ajo zhduket.
Tani po agon
Një tjetër Ditë e kthjellët:
Mendon ta lësh të iki
Larg pa e përdorur.
1909 - Në Belgjikë prodhohet për herë të parë në botë plastika sintetike. Shpikësi ishte kimisti belg Leo Baekeland: dhe prodhimi i ri sigurisht do të merrte emrin e tij, "Bakelit"
1917 - Kongresi i Shteteve të Bashkuara miraton Aktin e Emigracionit i njohur edhe si “akti aziatik i zonës së ndaluar”, pasi ndalonte emigracionin nga pothuajse të gjitha vendet e Azisë jugore dhe juglindore. Miratimi i këtij akti hidhte poshtë veton e presidentit Woodrow Wilson pak muaj më parë dhe përfshinte gjithashtu ndalimin e hyrjes në vend për: "homoseksualë", "idiotë", "persona me të meta mendore", "kriminelë", "epileptikë", "personat e çmendur", alkoolikë, "lypës profesionist", të gjithë njerëzit "mentalisht ose fizikisht të dëmtuar ", gra pa burra dhe anarkistë. Për më tepër, akti ndalonte hyrjen në Amerikë për të gjithë emigrantëve mbi moshën 16 vjeç të cilët ishin analfabetë. Akti i emigracionit 1917 gradualisht u përmirësua dhe u zevendësuar nga Akti i vitit 1952 që përjashtoi shumë nga këto dispozita.
1939 - Gjenerali Francisko Franko bëhet "Caudillo de Espana", ose Udhëheqësi i Spanjës dhe e mbajti këtë post deri sa vdiq më 20 nëntor 1975. Pavarësisht nga prirjet e tij pro-Boshtit gjatë Luftës së Dytë Botërore, Franko orkestroi ri-afrim me demokracitë perëndimore, përfshi arritjen e marrëveshjeve ekonomike dhe në fushën e mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara gjatë Luftës së Ftohtë kundër komunizmit.
1958 - Një bombë me hidrogjen e njohur si Bomba Tybee humbi nga forcat ajrore amerikane pranë brigjeve të Savannahs, Xhorxhia. Incidenti ndodhi kur gjatë një stërvitjeje dy aeroplanë luftarak u përplasën në ajër dhe për të shmangur një shpërthim të mundshëm të bombës piloti e lëshoi atë në oqean. Megjithë kërkimet e shumta bomba kurrë nuk u gjet.
1971 – Anija Apollo 14 e nisur në janar të vitit 1971 u ul në Hënë në zonën Fra Maouro, një zonë kodrash të larta krijuara miliona vjet më pare nga rënia e një meteori të fuqishëm. Për këtë arsye shkencëtarët donin ta studionin këtë sipërfaqe. Ata besojnë se nga studimi i të dhënave nga Fra Maouro mund të sigurojnë infomata të rëndësishme rreth historisë së herëshme të Hënës. Komandant fluturimi i Apollo 14-s ishte Alan Shepard. Ai njihej atëhere si amerikani i parë në Hapësirë. Stuart Rosa dhe Edgar Miçëll ishin dy anëtarët e tjerë të ekuipazhit. Në anije astronautët kishin marrë me vete edhe një pajisje udhëtimi dy rrotëshe që ata do t’a përdornin për të mbajtur a transportuar kamerat e aparate të tjera kur të zbriznin në Hënë. Ky mjet u krijoi atyre mundësi të udhëtonin larg nga vendi i zbritjes, për të mbledhur gurë e për të bërë eksperimente. Astronautët mundën të ecnin deri në 3 kilometra larg nga sonda. Edhe pse kishin mjetin dy rrotësh, Shepard e Miçëll nuk mundën të arrinin në njërin prej objektivave të tyre, kraterin e quajtur Kone. Ata nuk kishin mjaft oksigjen për të udhëtuar aq larg dhe u kthyen në sondën që i priste. Apollo 14 grumbulloi për shkencëtarët shumë informacione, që e shtynë Nasa-n të vazhdonte projektin e udhëtimeve në Hënë. Tre misionet e tjera do t’u lejonin astronautëve të qëndronin më gjatë në Hënë. Ata do të përdornin një mjet me katër rrota për të udhëtuar në sipërfaqen e Hënës. Ky automjet u quajt Rover hënor dhe punonte me bateri. Me të astronautët mund të shkonin më shumë se 30 kilometra larg nga vendi i zbritjes. Roveri hënor mund të mbante pajisje me peshë prej 110 kilogramësh dhe në të ishte instaluar edhe një kamer televizive që u dërgonte stacioneve në tokë pamje me ngjyra me cilësi transmetimi.
1997 - Nën presionin ndërkombëtar, tre prej bankave më të mëdha të Zvicrës krijuan një fond me vlerë 100 milionë franga zvicerane për viktimat e Holokaustit. Gjatë luftës së dytë botërore, shumë hebrenj në Evropë, për të mbrojtur paratë e tyre nga nazistët, hapën llogari bankare në Zvicër si vend neutral. Shumë depozituesve u zhdukën në Holcocaust. Për disa dekada pas luftës, trashëgimtarët e tyre kërkuan informacione mbi llogaritë bankare, por me pak ose aspak sukses. Bankat kërkonin çertifikata të vdekjes, të cilat nuk ekzistonin (nazistët nuk lëshonin çerfitkata kur vrisnin). Në vitin 1996, senatori amerikan Alfonse D' Amato i bëri thirrje qeverisë së SHBA-së që të merrej me këtë çështje, si dhe organizoi séance dëshmie në Kongres për të nxjerr në dritë të vërtetën. Pyetje në lidhje me qëndrimin e sinqertë të bankave të Zvicrës tërhoqën vëmendjen publike, kur më 14 janar 1997 ato filluan të përgatisnin eleminimin e dokumenteve që kishin të bënin me llogaritë bankare dhe transaksione të kohës së luftës. Më 29 janar qyteti i Nju Jorkut paralajmëroi një bojkotim ndaj bankave zvicerane. Tetë ditë më vonë, më 5 shkurt 1997, tre bankat më të mëdha të Zvicrës njoftuan krijimin e fondit humanitar prej 100 milionë frangash zvicerane (70 milionë dollarë) për viktimat e Holokaustit; më vonë u premtua se ky fond do të rritej në 5 miliardë dollarë.
Mendim i ditës
"Pasuria është si uji i detit, sa më shumë njeriu pi aq më i etur bëhet; dhe e njëjta është e vërtetë për famën".
Arthur Schopenhauer
XS
SM
MD
LG