Lidhje

Histori: Çfarë ka ndodhur më 8 shkurt?


Constantine XI
Constantine XI
1404 – Në Kostandinopojë lindi Kostandin Palaeologus. Më 1449, ai do të bëhej Perandor i Bizantit dhe mori emrin Kostandini XI; u kurorëzuar në Mistra të Moresë, pasi aty e gjeti vdekja e të atit dhe nuk deshi ta shtynte marrjen e fronit derisa të arrinte në Kostandinopojë. Nëna e tij, ishte me prejardhje nga Dragashi (Sharri) pranë Prizrenit, Kosova jugore. Kostandini donte që si perandor të mbante mbiemrin e familjes së nënës së tij, Dragashi. Gjithashtu përpjekjet kishin filluar për një martesë të mundshme të Kostandinit me Mara Brankoviçin, bijën e despotit serb Gjorgj Brankoviç; Mara kishte mbetur e ve pas vdekjes së burrit të saj, Sulltan Muratit; ajo ishte edhe njerka e sultanit të ri, Mehmet II, prandaj një krushqi mund të zbuste rrezikun Osman. Por këto mbetën vetëm plane; Perandori ishte destinuar të vdiste pa grua dhe pa trashëgimtar; më 9 maj 1453 Kostandinopoja ra në duart e osmanëve dhe Kostandini XI u vra në betejë. Edhe pse sulltan Mehmeti II i kishte ofruar paqe dhe një territor në More për të sunduar, Konstandini ndjeu se duhej të qëndronte dhe të vdiste me perandorinë. Më 29 maj 1453, trupi i Kostandinit, mes të vrarëve, u njoh nga këpucët e tij të kuqe, me shqiponjat me dy koka të qëndisura mbi to. Vdekja e tij shënoi fundin e Perandorisë Romake, e cila kishte vazhduar në Lindje për 977 vjet pas rënies në Perëndim; Perandoria e Romake e Lindjes (Bizanti) që filloi me ilirin Kostandin I nga Naissus (Nishi) mori fund me Kostandinin XI nga Dragashi (Sharri) më shumë se 1-mijë vjet më vonë.
1612 - Në Angli lindi Samuel Butler, poet e shkrimtar satirik (vdiq 1680). Ai kujtohet kryesisht për një poemë të gjatë me titull Hudibras ku satirozon sektarizmin fetar. Poema ishte shumë popullore në kohën e tij. Hudibras merr disa karaktere nga Don Kishoti por ka edhe shumë referenca nga personalitete dhe ngjarje të asaj kohe. Butler u ndikuar edhe nga satiristë të letërsisë klasike, veçanërisht Virgjili. Thuhet se mbreti Charles II e vlerësonte lartë poemën Hudibras, madje i lidhi poetit një pension vjetor. Ja disa vargje të Hudibras nga Samuel Butler, shkëputur nga pjesa
"Përgjigjia e Zonjës për Kalorësin"
(shqipërim)
“…Që je kafshë dhe kërkon bar,
S'është gjë e re, as ka qenë
Të paktën për mua që të njoh
Ti hiqeshe trim atëherë
Kur me shpatë e mburojë
Me një Amazonë luftoje
Këto janë mënyrat që nxisin
Ose trembin dashurinë ti përdor
Herë mbrohesh herë sulmon
Si lypsi që lutet për bamirësi
Dhe kur s’i jep të kërcënon…”
1735 - Opera e parë në SHBA,"Flora", shfaqet në Charleston, Karolina e Jugut. Një shekull më vonë, opera nuk do të pëlqehej shumë në Shtetet e Bashkuara, por në vitet 1700, kur çdo i rritur në trembëdhjetë kolonitë amerikane kishte emigruar nga Evropa, opera ishte po aq popullore sa edhe në kontinentin e vjetër. Flora u shfaq në një teatër të improvizuar, por suksesi i saj frymëzoi zyrtarët në Charleston për të ndërtuar një hapësirë të caktuar për opera, që u bë në fakt, Teatri i parë i Operas në territorin amerikan.
1740 - Lorenzo Corsini ose Papa i verbër, vdes në moshën 87 vjeçare, pas 10 vjetësh në detyrë. Papa quhej Klementi XII, për nder të Papa Klement Albanit ose Klementi XI, që e kishte shuguruar prift dhe kardinal Korsinin që në vitin 1706. Papa Klementi XI, emri i lindjes Giovanni Francesco Albani (nga familja Albani e vendosur në Itali nga Shqipëria veriore në shekullin e 15-të) ishte kreu i Kishës Katolike nga viti 1700 deri në vdekjen e tij më 1721. Papa pasardhës, Klement XII, ishte edhe përkahës dhe ruajtës i veprave të artit. Ai njihet për blerjen e koleksionit të madh të piktuarave dhe skulpturave klasike të kardinalit Alessandro Albani, nipi i Papa Klement Albanit. Busti i Demostenit nga koleksioni i Alessandro Albanit ndodhet sot në muzeun e Louvrit në Paris.
Mendim i ditës
“Nëse thua të vërtetën, s’ke nevoje të mbash mend gjë"
- Mark Twain
XS
SM
MD
LG