Lidhje

Nitaj: Politika plagosi rëndë Universitetin e Prishtinës


Kryetari i Këshillit Drejtues të UP-së, Muharrem Nitaj, dha dorëheqje nga ky post, duke e cilësuar të pamundur kryerjen e detyrave në pajtim më përgjegjësitë

Kryetari i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, Muharrem Nitaj, dha dorëheqje nga ky post, duke tërhequr vëmendjen për situatën e rëndë në këtë universitet që është më i madhi dhe më i vjetri në Kosovë. Në një komunikatë për medie, zoti Nitaj thekson se “në pamundësi për të kryer detyrat në përputhje me kompetencat që kam dhe duke mos dashur të jem pjesë e një dështimi katastrofik në Universitetin e Prishtinës, jap dorëheqje nga pozita e Kryetarit të Këshillit Drejtues të UP-së”.

Në komunikatë thuhet se situata e krijuar në Universitetin e Prishtinës, është më e rënda e krijuar që nga viti 2000, dhe “sot janë atakuar funksionet më vitale të tij. Në një situatë të tillë, kërkohen vendime të rëndësishme për Universitetin dhe në pamundësi për t’i ndërmarrë ato nga pozita që kam, vendimi më i arsyeshëm për mua, është dorëheqja e parevokueshme. Do të ishte katastrofike sikur rënia e Universitetit të Prishtinës, të shënonte fillimin e rënies së shtetit, prandaj studentët, profesorati dhe opinioni publik do të duhej të viheshin në mbrojtje të tij. Politika edhe këtë herë e ka plagosur rëndë institucionin më të lartë të dijes në vend!”, përfundon komunikata e zotit Nitaj.

Ndërkohë, dorëheqje nga Këshilli Drejtues dhanë edhe tre anëtarë të tij që ishin emëruar nga Ministria e Arsimit.

Këto zhvillime pasuan dorëheqjen e rektorit të Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi dhe të drejtuesve të tjerë të këtij Universitetit.

Të premten policia e Kosovës përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë grupe studentësh dhe pjesëtarësh të organizatave joqeveritare, që protestuan në hyrje të rektoratit të Universitetit Publik të Prishtinës, duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të rektorit të këtij Universiteti, Ibrahim Gashi.

Protestuesit hodhën gjësende të forta mbi pjesëtarët e policisë që penguan përpjekjet për të hyrë brenda oborrit të godinës së rektoratit. Policia tha se janë arrestuar 33 protestues gjatë përleshjeve ndërsa 29 policë dhe dhjetëra protestues kanë pasuar lëndime.

Protestuesit kishin kërkuar edhe hetimin e siç thuhet keqpërdorimeve në këtë universitet, vërtetimin e gradave shkencore të mësimdhënësve dhe largimin e ndikimeve politike në këtë institucion.

Reagimet u shtuan pas raportimeve në mediet lokale se një pjesë e punimeve shkencore që rektorit Gashi i janë njohur si mbështetje për gradimin e tij akademik, janë të botuara në një revistë të falsifikuar në Indi.

Çështja është bërë temë debatesh edhe Parlamentin e Kosovës, i cii sërish të martën do të hedhë në debat situatën në këtë universitet.
XS
SM
MD
LG