Lidhje

Debati i tavanit të borxhit në Kongres


Ligjvënësit amerikanë po përballen me një afat tjetër kohor për të arritur një marrëveshje lidhur me borxhin masiv të qeverisë amerikane. Kryetari republikan i Dhomës e Përfaqësuesve, John Boehner, thotë se edhe pse ende nuk është arritur një marrëveshje, vendi nuk do të arrijë në atë pikë që të mos paguajë detyrimet financiare. Siç na njeh edhe materiali në vazhdim, dy partitë në Kongres duken shumë larg arritjes së një marrëveshje.

Ndërsa borxhi i qeverisë federale i kapërcen 17 trilion dollarët, po afrohet afati që Kongresi të arrijë një marrëveshje mbi kufirin e ri të tavanit të borxhit.
Sekretari i Thesarit, Jack Lew, thotë se Uashingtoni mund të mos ketë më fonde për të paguar detyrimet pas pak javësh dhe mund të mos paguajë ushtarakët, pensionistët dhe kreditorët.

“Pa autoritetin e huamarrjes, në një të ardhme shumë të afërt, nuk do të jetë e mundur të përmbushim detyrimet e qeverisë federale”.

Departamenti i Thesasrit thotë se falimentimi mund të shkaktojë një recesion të rëndë dhe të ngrejë papunësinë.
Për të vazhduar funksionimin për disa javë, ky departament mund të përdorë manovrime bankare, por Sekretari Lew tha se Kongresi duhet të bjerë dakord së shpejti mbi ngritjen e kufirit të borxhit.
Në vitin 2011, mosmarrëveshjet politike e shtynë vendin drejt falimentimit, gjë që u pasua nga një ulje e pashembullt e vlerësimit të kreditimit për Uashingtonin.
Republikanët thonë se qeveria shpenzon shumë dhe po debatojnë se çfarë t’u kërkojnë demokratëve në këmbim për ngritjen e tavanit të borxhit.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner thotë se ende nuk është marrë ndonjë vendim.

“Jemi ende duke shqyrtuar situatën. Nuk duam që të falimentojmë dhe nuk do të dështojmë në pagimin e detyrimeve tona financiare ”.

Por presidenti Obama ka thënë se nuk do të negociojë mbi kufirin e borxhit. Një anketë e re nga rrjeti televiziv CNN tregon se një shumicë e vogël votuesish do të fajësonin republikanët nëse debati mbi këtë çështje dëmton ekonominë.
Robert Bixby kryeson koalicionin Concord, i cili mbështet menaxhimin e kujdesshëm të fondeve nga taksat. Ai thotë se falimentimi është diçka që nuk mund të mendohet dhe nuk ka të ngjarë të ndodhë.

“Sapo detyrimet janë pranuar ato duhet të paguhen. Nëse tavani i borxhit nuk ngrihet, është njësoj sikur të thuash se ne nuk do të paguajnë detyrimet. Kjo nuk është një mënyrë e logjikshme për të trajtuar politikën fiskale jashtë kontrollit”.

Zoti Bixby thotë se besimi i konsumatorëve goditet kur partitë politike nuk bien dakord mbi borxhin, ndërkohë që ligji mbi tavanin e borxhit nuk kufizon shpenzimet qeveritare. Prandaj, thotë ai, ka ardhur koha të ndryshohet ligji.
Zoti Bixby thotë se sfida reale është që të gjehen mënyrat për të ulur shpenzimet, shtuar taksat, ose të dyja, në mënyrë që borxhi i vendit të jetë më i menaxhueshëm. Ekspertët parashikojnë se ngritja e interesave, mplakja e popullatës dhe një sistem taksash me probleme do ta ngrejë me triliona dollarë më shumë borxhin gjatë dekadës së ardhshme.
XS
SM
MD
LG