Lidhje

Clinton, kandidate e fuqishme demokrate në 2016


Anketat e opinionit tregojnë se ish Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton është favoritja për t’u zgjedhur si kandidate presidenciale e Partisë Demokrate në vitin 2016, në se ajo vendos të garojë. Në radhët e Partisë Republikane nuk ka një favorit të dukshëm, gjë që nënkupton një betejë më të gjerë për zgjedhjet paraprake në këtë periudhë dyvjeçare. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jim Malone sjell hollësi mbi manovrat e hershme politike për zgjedhjet e vitit 2016.

Hillary Clinton ka qënë një figurë e përhershme në skenën politike kombëtare për më shumë se 20 vjet, si zonjë e parë, senatore, kandidate presidenciale dhe sekretare shteti.

Zonja Clinton pritet të vendosë për garën presidenciale këtë vit, dhe në se garon, ajo do të jetë një kandidate e vështirë për t’u mposhtur, thotë analisti politik Stephen Hess.

“Ajo që të bën përshtypje në Partinë Demokrate, në partinë e presidentit, është se ka një kandidate që është shumë më përpara se të tjerët dhe ajo është Hillary Clinton.”

Në se hyn në garë, zonja Clinton mund të presë pyetje nga rivalët rreth mënyrës se si u trajtua sulmi terrorist në misionin amerikan në Bengazi të Libisë më 2012.

Kohët e fundit ajo e quajti sulmin në Bengazi keqardhjen më të madhe, megjithëse vitin e kaluar ajo shmangu sulmet politike për mënyrën se si u trajtua ky incident.

“Fakti është që katër amerikanë gjetën vdekjen. Ishte kjo për shkak të një proteste apo ishte thjesht një vendim i sulmuesve për të vrarë amerikanët? Çfarë ndryshimi ka? Është detyra jonë të gjejmë se çfarë ndodhi dhe të bëjmë çdo gjë të mundur për të parandaluar sulme të tilla.”

Në se garon, zonja Clinton mund të përballet me një sfidë nga nënpresidenti Joe Biden, i cili radhitet i dyti, sipas anketave të fundit.


Statusi i zonjës Clinton si kandidatja favorite ka të mira dhe të këqija, thotë Stephen Hess.

“Në se je në krye, të gjithë do të të sulmojnë, jo vetëm kandidatët e tjerë të mundshëm por edhe media. Pra ajo është në një pozicion shumë të ekspozuar. Në anën tjetër, ky është një pozicion shumë i mirë pasi e ndihmon të grumbullojë shumë fonde.”

Në se zonja Clinton do të garojë ajo mund të distancohet nga presidenti jopopullor Obama, thotë analisti Stuart Rothenberg.

“Ajo do të ngrejë një numër çështjesh ku nuk është dakord me presidentin e tanishëm, duke sjellë mesazhin se ajo do të jetë kandidatja që do të sjellë ndryshim.”

Republikanët nuk kanë një kandidat të favorshëm deri tani, por pretendentë të mundshëm janë guverantori i Nju Xhersit Chris Christie, i cili është mbërthyer në një skandal lidhur me një trafik makinash të orkestruar nga ndihmësit e tij.

Problemet e Christie-it mund të hapin rrugën për ish guvernatorin e Floridas Jeb Bush, guvernatorin e shtetit Wisconsin, Scott Walker, senatorin e Teksasit, Ted Cruz dhe atë të Kentuckyi, Rand Paul.

Kombinimi më intrigues për në zgjedhjet e vitit 2016 do të ishte Hillary Clinton kundër Jeb Bushit, thotë analisti Hess.

“Të gjithë do të kënaqen me këtë kombinim si asnjë tjetër. Këta dy emra Bush dhe Clinton, janë shumë, shumë të njohur.”

Procesi zyrtar i emërimeve fillon pas dy vjetësh, por shumë nga ata që janë të interesuar të garojnë në vitin 2016, pritet të marrin një vendim para fundit të këtij viti.
XS
SM
MD
LG