Lidhje

Raundi i dytë i bisedimeve të Gjenevës


Kombet e Bashkuara thonë se qeveria siriane dhe opozita kanë rënë dakord që ta zgjasin një periudhë për ndihmë humanitare në qytetin e Homsit edhe për tri ditë të tjera.

Zyrtarja më e lartë për çështjet humanitare në OKB, Valerie Amos në një deklaratë sot, përshëndeti marrëveshjen e arritur disa ditë pasi, siç u shpreh ajo punonjësit e OKB-së dhe Gjysmëhënës Arabe të Sirisë u vunë “qëllimisht në shënjestër” në qytet.

Zonja Amos tha se shpreson që kjo pauzë humanitare t’i lejojë ata të evakuojnë më shumë civilë dhe të shpërndajnë paisje të nevojshme në atë zonë. Mbi 800 persona janë evakuuar nga qyteti që është nën kontrollin e kryengritësve që nga e enjtta.

Ndërkohë përfaqësues të qeverisë siriane dhe opozitës që kërkon përmbysjen e Presidentit Bashar al-Assad hapën një raund të dytë bisedimesh paqeje në Gjenevë.

I dërguari i Kombeve të Bashkuara dhe Lidhjes Arabe, Lakhdar Brahimi mbajti takime veç e veç me të dyja palët, në rolin e tij si ndërmjetës.

Armët kimike të Sirisë

Një dërgesë e tretë materialesh nga armët kimike, është nisur nga Siria për t’u shkatërruar si pjesë e një marrëveshjeje ndërkombëtare për asgjësimin e armëve kimike të vendit deri në mes të këtij viti.

Në një deklaratë e misionit të përbashkët të Kombeve të Bashkuara dhe Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (ONAK) thuhet se materialet u larguan nga vendi sot në një anije transporti norvegjeze, shoqëruar nga një flotë anijesh nga Kina, Danimarka, Norvegjia dhe Rusia.

Në deklaratë thuhet se dusa nga materialet kimike u shkatërruan brenda vendit.

ONAK ka caktuar 30 qershorin si afat për nxjerrjen e të gjitha armëve kimike nga Siria.

Deri sot, Siria ka dërguar më pak se pesë për qind të arsenalit të saj për t’u shkatërruar.
XS
SM
MD
LG