Lidhje

BE, thirrje për zgjedhje presidenciale në Ukrainë


Bashkimi Evropian është duke bërë thirrje për formimin e një qeverie të re në Ukrainë, për t'u pasuar nga zgjedhje presidenciale të lira dhe të ndershme. Megjithatë BE-ja nuk ka kërkuar sanksione. Protestat anti-qeveritare në Ukrainë shpërthyen në muajin nëntor pasi Presidenti Viktor Janukoviç hoqi dorë nga nënshkrimi i një marrëveshjeje tregtare me Bashkimin Evropian, duke preferuar lidhje më të ngushta me Rusinë.

Në vijën e parë të frontit në Kiev, një pianiste përpiqet të thyejë tensionin me një recital të pasionuar.

"Kjo ndihmon në përmirësimin e gjendjes shpirtërore të njerëzve, por gjithashtu ne duam të bëjmë diçka të mirë për policinë në mënyrë që ata të mund të përpiqen të kuptojnë disa gjëra," thotë pianistja Antuanetta Mishenko.

Por shenjat e mirëkuptimit mes të dy palëve janë të pakta, ndësa kriza hyn në javën e saj të tretë.

Kërkesa e opozitës për largimin e presidentit Viktor Janukoviç është mbështetur nga Bashkimi Evropian.

Pas një takimi dje në Bruksel, ministrat e jashtëm të BE-së lëshuan një deklaratë të përbashkët me anë të së cilës kërkon formimin e një qeverie të re dhe reforma kushtetuese që do t’i hapnin rrugën zgjedhjeve presidenciale të lira dhe të ndershme.
Shefja e Punëve të Jashtme të BE-së, Catherine Ashton:

"Jemi duke punuar ngushtë me udhëheqësit e shoqërisë civile, me të cilët unë kam diskutuar për problemet dhe shqetësimet e tyre, si rëndësia e ndalimit të çdo forme dhune dhe sjellja para drejtësisë e autorëve të dhunës, përparimi i punës së parlamentit mbi reformën kushtetuese e cila është një pjesë e rëndësishme e përpjekjeve për të zgjidhur këtë krizë, për të vazhduar me zgjedhje të lira e të ndershme."

Ndërsa po i ofron Ukrainës lidhje më të ngushta tregtare, BE-ja nuk ka vendosur sanksione ndaj vendit. Por sipas Orysia Lutsevych e institutit të politikave Chatham House me qendër në Londër , BE-ja duhet të veprojë kundër mbështetësve të pasur të udhëheqjes së Ukrainës.

"Kundër oligarkëve, njerëzve të biznesit. Dhe nuk them se duhet të ndërmarrin sanksione. Por thjesht të veprojnë mbi bazën ligjore ekzistuese për mbikëqyrjen e llogarive financiare në bankat evropiane të personave të përfshirë në politikë. Dhe ne e dimë që ka zyrtarë të lartë qeveritarë në Ukrainë të cilët përdorin bankat në Evropë dhe burimet e këtyre të ardhurave financiare janë mjaft të dyshimta."

Presidenti Janukoviç hoqi dorë nga nënshkrimi i një marrëveshjeje tregtie me Evropën në nëntor, duke preferuar ndaj saj një marrëveshje kreditimi me Moskën. Tani vëmendja e të gjithëve është përqëndruar në Rusi ndërsa vendi vazhdon organizimin e Lojërave Olimpike Dimërore. Por pasi mbikëqyrja të përfundojë, shumë protestues në Ukrainë shqetësohen se do të ketë një tjetër shtypje ndaj tyre e mbështetur nga Rusia.
Ian Bond, punon me grupin e analizave Qendra për Reforma Evropiane.

"Ka disa komente vërtet mjaft shqetësuese që vijnë nga Moska mbi ide të Moskës se ndoshta do të ishte më mirë për Ukrainën nëse vendi do të federalizohej, gjë që unë mendoj se nënkuton një lloj ndarjeje mes lindjes dhe perëndimit."

Ndërsa rivaliteti gjeopolitik ushtron ndikimin e vet, protestuesit thonë se nuk do të largohen nga barrikadat e tyre deri sa t’u plotësohen kërkesat që kanë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG