Lidhje

Ç'mendojnë banorët e Soçit


Njerëzit në Soçi janë përballur me pengesa të mëdha gjatë viteve para Lojrave Olimpike Dimërore, me ndërtimin e objekteve të reja brenda vetëm shtatë vjetëve. Po si ndihen ata tashmë që po zhvillohen Lojrat?

Objektet olimpike janë një prani e spikatur në bregdetin e Soçit. Me 51 miliard dollarë, u ndërtuan objekte përgjithësisht të vlerësuara si nga sportistët, ashtu edhe nga shikuesit.
Po njerëzit që jetojnë këtu? Duket se skepticizmi i mëparshëm është zëvendësuar nga krenaria.

“Isha shumë e zhgënjyer kur morëm vesh se Lojrat Olimpike do të mbaheshin në Soçi, sepse krijoi probleme të shumta për banorët vendas. Por tani që çdo gjë ka përfunduar, jemi shumë të lumtur dhe krenarë për vendin tonë.”

“Soçi është përmirësuar mjaft. Jam shumë i kënaqur.”

Banorët e Soçit tregojnë projektet e reja rrugore dhe hekurudhore.

Por ndërtimet kanë patur një ndikim te mjedisi. Shumë njerëz ankohen se nëpër fshatra janë hedhur mbeturina. Vladimir Kimaev punon për një organizatë për mjedisin e Kaukazit verior.

“Është një situatë shumë shqetësuese për banorët e fshatrave, sepse ndodhen shumë afër vendeve ku janë hedhur mbeturinat.”

Fshatrat në malet rreth Soçit janë ndryshuar për aktivitetet e borës. Treni i ri i lidh ato me bregdetin brenda 40 minutash.

“Dikur bënim një jetë fshati. Tani çdo gjë ka ndryshuar dhe është shumë e vështirë për ne që t’i përshtatemi këtyre ndryshimeve.”

Por zoti Baturin është ngazëllyer nga fryma olimpike.

“Ndihem shumë krenar që Lojrat po mbahen këtu,” thotë Baturin.

Organizatorët rusë thonë se kostoja e lartë do ta justifikojë veten, pasi pritet që miliona turistë të vizitojnë Soçin pas Lojrave .

Por ka dyshime nëse numri do të jetë vërtet aq i madh. Një raport nga agjencia e vlerësimit të kreditit Moody paralajmëron se kostoja e lartë e aktivitetit do t'i kufizojnë përfitimet pas Lojrave të Soçit.
Tani për tani, njerëzit në Soçi duken krenarë se bota e ka vëmendjen tek ky qytet, dikur i qetë, bregdetar.
XS
SM
MD
LG