Lidhje

Kina reagon ndaj raportit të OKB-së


Kina hedh poshtë akuzat e një hetimi të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, i cili theksonte se Pekini po ndihmonte dhe inkurajonte krime kundër njerëzimit duke i kthyer pas në Korenë e Veriut personat e arratisur nga ky vend.

“Sigurisht se ne nuk mund ta pranojmë këtë kritikë të paarsyeshme. Qëndrimi ynë për të drejtat e njeriut është shumë i qartë. Ne besojmë se mosmarrëveshjet mbi të drejtat e njeriut duhet të zgjidhen siç duhet nëpërmjet dialogut konstruktiv, mbi bazën e barazisë dhe respektit reciprok. Ne besojmë se politizimi i çështjeve të të drejtave të njeriut nuk ndihmon në përmirësimin e tyre. Për sa u përket emigrantëve të paligjshëm koreano-veriorë që përmendët, qëndrimi ynë është gjithashtu shumë i qartë. Kina merret me këta njerëz sipas ligjeve të vendit tonë, atyre ndërkombëtare dhe parimeve humanitare.”

Rreth 20,000 koreano-veriorë janë arratisur nga vendi i tyre, kryesisht nëpërmjet Kinës, që nga kriza e urisë së viteve ’90.

Raporti i OKB-së tha se shumë koreano-veriorë të riatdhesuar me forcë nga Kina, janë torturuar, disa janë ekzekutuar dhe ose nënshtruar formave të ndryshme të dhunës pas kthimit të tyre në Phenian.
Raporti thotë se qeveria e Koresë së Veriut, me politika të përcaktuara në nivelin më të lartë të shtetit, ka kryer krime të paimagjinueshme kundër njerëzimit.

“Disa prej tyre janë shumë të ngjashme. Për shembull, dëshmia është dhënë për kryerjen e hetimit në lidhje me kampet e burgjeve politike, për një numër të madh njerëzish të cilët ishin kequshqyer deri në vdekje, pastaj trupi i tyre është hedhur në ujë të valuar, djegur dhe më pas janë varrosur dhe kjo punë ishte detyra e të burgosurve të tjerë në kampet e përqëndrimit.”

Paneli i OKB-së i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndërmarrë masa urgjente për ta nxjerrë Phenianin përpara Gjykatës Ndërkombëtare. Ai gjithashtu sugjeroi krijimin e një gjykate të përkohshme të OKB-së për këtë çështje.

Por edhe para publikimit të raportit, Kina, një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, ka thënë se do t’i vinte veton një veprimi të tillë.

Pekini i ka portretizuar për një kohë të gjatë koreano-veriorët e arratisur si kriminelë ose refugjatë ekonomikë. Gjatë konferencës së përditshme për shtyp sot, zonja Hua tha se qeveria kineze nuk i referohet atyre si “refugjatë” por si “kalues të paligjshmën të kufirit.”
XS
SM
MD
LG