Lidhje

Venizelos: Integrimi euroatlantik i Kosovës- synim historik


Ministri i jashtëm grek Evangelos Venizelos tha se përmbyllja e marrëveshjes së stabilzim asocimit të Kosovës me BE-në, do të jetë hap i madh për integrimin e saj dhe tërë rajonit

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Evangelos Venizelos, shfaqi shpresën se Kosova do të përmbyllë gjatë këtij viti negociatat për marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropiam, që sipas tij do të ishte një hap i madh pwr integrimin evropian të Kosovës dhe gjithë rajonit.

Ai i bëri këto komente pas takimit me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi në Prishtinë, ku po qëndron për një vizitë në kuadër të turneut të tij në disa vende të Evropës Juglindore në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian.

Ai tha se Kosova ka ardhmëri të qartë evropiane në linjë me ardhmërinë evropiane të gjithë rajonit të Ballkanit perëndimor. “Forcimi i marrëdhënieve me Bashkimin Evropian dhe nxitja e zhvillimit ekonomik e social të Kosovës është me rëndësi për rajonin e Ballkanit. Përmbyllja e marrëveshjes së stabilzim asocimit të Kosovës me Bashkimin Evropian që shpresoj të ndodhë gjatë këtij viti, do të jetë hap i madh për integrimin e Kosovës dhe tërë rajonit”, tha ai, duke nënvizuar se reformat, marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe forcimi i sundimit të ligjit, nxitë qëndrueshmërinë e zhvillimin ekonomik të rajonit dhe hap rrugën për në Evropë.

Ministri grek dje ishte në Beograd ku u zotua për të nxitur përparimin e shpejtë të procesit të anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian në vitin 2020. Serbia hapi negociatat për anëtarësim në janar të këtij viti si shpërblim për angazhimin e saj në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, pavarësinë e së cilës vazhdon ta kundërshtojë. Ai vlerësoi lartë angazhimin e të dyja vendeve në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Greqia, e cila mban presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, është një nga pesë vendet anëtare të bllokut që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës. Ministri Venizelos ritheksoi sonte se synimi historik është integrimi euroatlantik i Kosovës.

Ky është një projekt shumë i rëndësishëm dhe shumë sfidues. Gjatë periudhës kalimtare do të kemi kohë të shqyrtojmë të gjitha hapat e nevojshëm” tha ai, duke nënvizuar se takimi me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi ishte mundësi e mirë për freskimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve. Ai tha se prania ekonomike e Greqisë në Kosovë është e fuqishme.

Ndërsa Kryeministri Thaçi paralajmëroi hapjen e zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Athinë.

Në kuadër të turneut të tij, ministri grek do të qëndrojë edhe në Maqedoni e Shqipëri.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG