Lidhje

Histori: Çfarë ka ndodhur më 20 shkurt?

  • Astrit Lulushi

Orkney and Shetland Islands

Orkney and Shetland Islands

1472 - Norvegjia i jep Skocisë ishujt Orkney dhe Shetland, pasi mbreti norvegjez Kristian nuk mundi të paguante për pajën e vajzës së tij që ishte fejuar me mbretin skocez Xhejms III.
1816 - Opera e Xhakomo Rosinit, "Berberi i Seviljes", shfaqet për herë të parë në Romë, në teatrin Argjentina. Shfaqja dështoi plotësisht; audienca u ngrit në këmbë dhe njerëzt filluan të talleshin. Sot, Berberi i Seviljes konsiderohet si një nga kryeveprat e operas komike.
1839 - Kongresi amerikan shpall të paligjshëm duelin në kryeqytetin Uashington. Shumë njerëz po vrIteshin për hiç-gjë. Duelet kishin filluar të kritikoheshin prej kohësh në Amerikë. Gjatë luftës Revolucionare, gjenerali George Washingtoni i inkurajonte oficerët që t'i refuzonin sfidat për duel. Ai besonte se vdekja e tyre nga duele kërcënonte suksesin e përpjekjeve të luftës për pavarësi. Edhe Benjamin Franklin e dënonte këtë praktikë, duke e quajtur të dhunëshme, të kotë, për mburravecë. Dueli më fatal amerikan ndodhi më 11 korrik 1804, kur ish- sekretari i Thesarit, Alexander Hamilton u plagosur për vdekje nga nënpresidenti Aaron Burr. Një tjetër politikan amerikan, Andrew Jackson, që do të bëhej president, zhvilloi të paktën dy duele. Më 22 shtator 1842, presidenti i ardhshëm, Abraham Lincoln, në atë kohë ligjvënës në shtetin Illinois, doli në duel me auditin e shtetit, James Shields, por në momentin e fundit ata ndryshuan mendje. Në vitin1864, shkrimtari Mark Twain, mezi shmangu një duel me redaktorin e një gazete rivale. Në Evropë, më 30 maj 1832, francezi Evarist Galua, 20 vjeçar, u plagos për vdekje në duel, një ditë pasi kishte shkruar teorinë e tij matematikore. Tregojnë se në vitin 1860, prusiani Otto von Bismark, (para se të bëhej kancelar) doli në duel me një politikan të opozitës, por kur erdhi radha për të zgjedhur armët, kundërshtari i tij zgjodhi suxhukë dhe propozoi të bënin garë se kush do të hante më shumë. Thuhet se Bismarku qeshi dhe u tërhoq.
1872 - Përurohet Muzeu Metropolitan i Artit në Nju Jork. Që nga fillimi i shekullit XX, në këtë museum të famshëm gjendet i ekspozuar edhe i ashtuquajturi Thesari i Vrapit, relike të ndryshme (enë, varëse, zbukurime të gdhendura në fildisht, ar e argjend), nga mesjeta e herëshme të zbuluara në fshatin Vrap afër Tiranës. Disa studiues kanë sugjeruar se objektet ishin pjesë e një thesari që i përkiste një udhëheqësi Avar; të tjerë spekullojnë se ato janë punime nga artizanë vendas - mbetje vatrash për shkrirje e punime metali janë zbuluar në atë zonë. "Thesari i Vrapit" ka qenë pjesë e koleksionit të bankierit të njohur amerikan John Pierpont "J. P." Morgan (1837-1913). Thuhet se ai e kishte blerë atë nga një diplomat austro-hungarez që kishte shërbyer në rajon.
1921 - Reza Khan Pahlevi merr kontrollin e Iranit. Ai themeloi një monarki kushtetuese që zgjati deri në vitin 1979 kur u rrëzua nga Revolucioni islamik. Gjatë mbretërimit të tij, Shah Pahlevi kreu shumë reforma shoqërore, ekonomike dhe politike, duke hedhur themelet e shtetit modern iranian. Gjithësesi, kjo trashëgimi mbetet e diskutueshme.
1941 - Nazistët, në Poloninë e pushtuar, ndalojnë hebrenjtë polakë të përdorimin transportin publik.
1960 - Jimi Hendrix, jep koncertin e tij të parë me kitarë. Hendrix është konsideruar si instrumentisti më i madh në historinë e muzikës rok. Koncertin e fundit ai e mbajti në Gjermani më 6 shtator 1970. Më 18 shtator, Jimi Hendriks vdiq nga asfiksimi - ishte 27 vjeç.
1991 - Protestues në Tiranë rrëzojnë shtatoren e diktatorit Enver Hoxha. Ngjarja ndodhi mes një gjendje të tensionuar politike; studentët ishin hedhur në grevë urie (kërkonin heqjen e emrit të Enver Hoxhës nga universiteti i tyre). Greva u mbështet nga mijëra qytetarë tiranas e nga gjithë vendi. Rrëzimi i simboleve të diktaturës kishte filluar më herët. Në Shkodër, banorët kishin shkatërruar monumentin e Stalinit dhe me veprimet e tyre frymëzuan njerëz në qytete të tjera. Portestat kulmuan më 20 shkurt, kur mijëra studentë e qytetarë të Tiranës u nisën nga "Qyteti Studenti" drejt sheshit "Sheshit Skënderbej". Pas disa përleshjeve me policinë, protestuesit mbërritën në shesh dhe mes thirrjeve "Poshtë diktatori!", "E duam Shqipërinë si Evropa!", rrëzuan shtatoren prej bronxi të diktatorit (vdekur më 1985) pastaj e goditën me shkelma, shanë, qanë, qëlluan, pështynë e etj…mbi të.., e lidhën, e tërhoqën zvarrë, sikur të ishte gjallë, dhe ia ndanë kokën nga trupi. Televizioni shtetëror (i vetmi stacion televiziv i vendit) e paraqiti të plotë rënien e bustit; shqiptarët në mbarë vendin e panë në ekran atë që ndodhi në Tiranë – dhe filluan të besojnë se fundi i diktaturës vërtetë kishte ardhur.
2005 - Spanja bëhet vendi i parë që mban një referendum për ratifikimin e projekt-Kushtetutës së Bashkimit Europian - Kushtetura u miratua nga spanjollët me një shumicë të mirë votash, por me pjesëmarrje të ulët votuesish.

Mendim i ditës
"Njerëzit kurrë nuk gënjejnë më shumë sesa pas një gjuetie, gjatë një lufte ose para zgjedhjeve."
Otto Von Bismarck

Trego komentet

XS
SM
MD
LG