Lidhje

Histori: Çfarë ka ndodhur më 21 shkurt?

  • Astrit Lulushi

Jeanne d'Arc

Jeanne d'Arc

1431 – Në selinë ushtarake të mbretit anglez në Paris, fillon një gjyq i cilësuar si më i rëndësishmi në histori që nga koha e gjyqit të Krishtit në Jeruzalem. Gjykohet Zhan d'Ark, një vajzë fshatare në Francën mesjetare; adoleshente, analfabete, me besim se Perëndia e kishte zgjedhur për të udhëhequr vendin në luftën për çlirim nga Anglia. Lufta, që do të zgjaste 100 vjet, filloi kur Henri V i Anglisë sulmoi Francën pasi mendonte se princi francez i kurorës, Çarles, ishte i paligjshëm. Zhan d'Ark ishte 17 vjeç, pa asnjë përgatitje ushtarake, kur e bindi princin Charles për ta lejuar të udhëhiqte sulmin për çlirimin e Orleansit. Nga dëshpërimi, pa asnjë shpresë për fitore, princi nuk kishte ç'të humbiste dhe ia dha komandën: Zhan d'Ark, për habinë e të gjithëve, e fitoi betejën; princi Çarls u bë mbret i Francës dhe Zhan d'Ark u bë e njohur si "Bija e Orleansit". Pastaj ajo kërkoi që ofensiva të vazhdonte, por gjeneralët nuk donin, dhe për ta hequr qafe, ia dorëzuan pabesisht forcave kundërshtare, që e gjykuan për magji, e dënuan për herezi, dhe më 1431 e dogjën në turrën e druve. Shumë vite a shekuj më vonë, Kisha Katolike do ta shpallte Zhan d'Arkën martire dhe shenjtore, ndërsa Shekspiri, Volteri, Michelet, Schiller, Mark Twain, Anatole France, George Bernard Shaw dhe të tjerë të shumtë për t’u përmendur demostruan heroizmat dhe fatin e saj fatal me shkrimet e tyre.

1677 - Në Hagë, vdiq Baruch Spinoza (45 vjeç) - hebre portugez, emigrant në Holandë - ndoshta filozofi i vetëm i përshatshëm edhe për kohët moderne, thonë: "...kështu liria e vërtetë vjen vetëm me njohjen e motiveve të veprimeve tona. Duke njohur natyrën e ndikimit të dëshirës mbi pasionin, ne pastaj mund të jemi në gjendje të përpiqemi për paqen e mendjes që sjell pa-anshmëri të arsyes....Pra, liria nuk është e lehtë, ashtu si të gjitha gjërat e tjera fisnike, aq të vështira sa edhe të rralla". Në vitin 1927, shtëpia ku Spinoza vdiq, u kthye në muze.

1874 - Benjamin Disraeli zëvendëson William Gladstone si kryeministër britanik. Gladstoni e shfrytëzoi këtë humbje për t'iu përkushtuar punës për librin e tij "Një vështrim mbi kohën dhe vendin e Homerit në Histori" (1876). Por, ai u nxit për t'u kthyer në politikë kur mësoi lidhur me masakrat e perandorisë osmane ndaj banorëve në Bullgari dhe shkroi dy pamflete; Mbi tmerret bullgare, dhe Mbi çështjen lindore (1876).

1885 - Në kryeqytetin amerikan përkushtohet monumenti i Washingtonit, obelisk prej guri më i larti në botë (169 metra), i cili do të hapej për publikun pas 3 vjetësh (1888). Vetë ndërtimi i strukturës zgjati (me ndërprerje punimesh) 36 vjet. Obelisku Uashington, për nder të presidentit e parë të Shteteve të Bashkuara, u projektua nga Robert Mills, i cili vdiq 2 javë pas ceremonisë së përkushtimit (3 mars 1885).

1916 – Në Verdun të Francës fillon beteja më e përgjakëshme e luftësë së parë botërore midis ushtrive gjermane dhe franceze. Një ri-vlerësim në vitin 2000 gjeti se nga 715 mijë viktima, 377 ishin francezë dhe 337 mijë gjermanë me një mesatare prej 70 mijë viktima për çdo muaj të betejës. Beteja e Verdunit është cilësuar një nga më të gjatat dhe më të kushtueshmet në historinë njerëzore; ri-vlerësime të tjera të fundit thonë se numri i viktimave arriti në 976 mijë deri në perfundim të betejës, 18 dhjetor 1916.

1925 - Botohet numri i parë i The New Yorker, revistë amerikane thuajse e përjavëshme (47 numra në vit) me reportazhe, komente, kritika, persiatje, letërsi, satirë, karikatura, dhe poezi. Edhe pse komentet dhe reportazhet shpesh përqëndrohen në jetën kulturore të Nju Jorkut, revista ka një audiencë të gjerë në mbarë Amerikën. Ajo është e njohur për kapakët e saj të ilustruar me karikatura shpesh nga tema të dites, si dhe për komentet mbi kulturën popullore; vëmendje të posaçme New Yorker i kushton prozës moderne me përfshirjen e tregime të shkurtra dhe kritikës letrare. New Yorker (me rreth 80 faqe) boton edhe pjesë nga shkrimtarë të njohur, edhe të huaj. Në numrin e fundit të dhjetorit 2005, për shembull, letërsia shqipe u përfaqësua me romanin e shkurtër nga Ismail Kadare, "Historia e Lidhjes së Shkrimtarëve shqiptarë, përballë pasyrës së një gruaje” (The Albanian Writers’ Union as Mirrored by a Woman).
“Që Lidhja e Shkrimtarëve të Shqipërisë të vihej në lidhje krahasuese me një lavire, kjo do të më dukej një kundruallsi tejet vulgare, siç janë zakonisht metaforat e shpërdoruara, sidomos pas rënies së komunizmit….”(IK)

1937 - Lidhja e Kombeve shpalli nënshkrimin e marrëveshjes që ndalonte "vullnetarë" të huaj të merrnin pjesë në Luftën Civile Spanjolle. Gjermania, Italia, dhe Bashkimi Sovjetik vazhdimisht e shkelën këtë marrëveshje, Franca herë pas here, vetëm Britania i mbeti kryesisht besnike.

1989 - SHBA - zbulohet një rrjet trafikantësh kinezë të drogave - policia amerikane sekuestron një sasi rekord prej 450 kg drogë të llojit heroinë - me vlerë prej 1 miliardë dollarësh.

2004 - Itali - Në Romë themelohet Partia e të Gjelbërve, organizimi i parë politik evropian i veprimtarëve të mjedisit.

2007 - Kryeministri italian Romano Prodi paraqet dorëheqjen. Kërkesa e tij refuzohet nga presidenti Giorgio Napolitano.

Mendim i ditës
"Në se një kafshë duhet të sakrifikohet kur një urë e re ndërtohet, çfarë do të duhet për të ndërtuar një botë krejt të re?"
Ismail Kadare, Kronikë në Gur
XS
SM
MD
LG