Lidhje

Xhihadistët evropianë


Kohët e fundit ka pasur një rritje të numrit të arrestimeve të qytetarëve britanikë që akuzohen se janë kthyer nga fushëbetejat e Sirisë, ku mendohet të kenë qenë pjesë e xhihadit, apo luftës së shenjtë. Autoritetet britanike shqetësohen se shifrat në rritje përbëjnë një kërcënim të sigurisë së brendshme. Por Britania nuk është e vetmja që përballet me këtë problem. Ndërkohë që mendohet se mijëra evropianë janë duke luftuar në Siri, kërcënimi po merret seriozisht në të gjithë kontinentin.

Kjo video amatore është xhiruar qëllimisht më 6 shkurt dhe në të shfaqet shtetasi britanik Abdul Waheed Majeed pranë qytetit sirian Aleppo. Ai është i rrethuar nga luftëtarët e grupit rebel të lidhur me al–Kaidan, Fronti Al Nusra.
Abdul Majeed flet me theks britanik.

"Nuk mund të flas. Gjithkush më kërkon të flas. Por unë nuk jam folës shumë i mirë. Më duket sikur më është lidhur gjuha. Nuk mund të flas. Fjalët duhet të vijnë nga zemra. Nuk mundem."

Majeed shihet më pas të ngasë një kamion të mbushur me eksplozivë deri pranë mureve të burgut të Aleppos. Ai dhe dhjetëra persona të tjerë mbeten të vrarë. Rebelët sirianë njoftojnë se shumë të burgosur u arratisën.
Shiraz Maher është hulumtues i Qendrës Ndërkombëtare për Studimin e Radikalizmit të Universitetit Kings në Londër.

"Sulmi vetëvrasës me bombë sugjeron një nivel fanatizmi shumë të lartë. Ata janë luftëtarë dhe ndodhen në terren për të bërë dy gjëra. Njëra është largimi i Assadit, por synohet edhe martirizimi."

Zoti Maher vlerëson se në Siri janë duke luftuar deri në 366 qytetarë britanikë, më shumë se Xhihadi i zhvilluar në Irak apo Afganistan.

"Po të kemi parasysh qëndrimin e botës perëndimore – vetë qeveritë tona e konsiderojnë Assadin tiran dhe një person që duhet të largohet nga pushteti – ky nuk është një veprim moralisht i dyshimtë."

Qeveria britanike po përgjigjet. Vetëm gjatë muajit janar, 16 shtetas britanikë, të dyshuar për pjesëmarrje në luftime ose si persona që kanë tentuar të udhëtojnë atje, u arrestuan pas kthimit të tyre në shtëpi. Gjatë gjithë vitit 2013, ka pasur 24 arrestime.

Përvoja e kaluar tregon se xhihadistët britanikë paraqesin rrezik të dyfishtë sigurie, thotë Rafaello Pantucci i Institutit të Shërbimeve të Bashkuara Mbretërore.

"Në Afganistan dhe Pakistan, ku të rinj britanikë shkuan për të luftuar në disa nga konfliktet e xhihadit, pamë që ata përfunduan nën drejtimin e al-Kaidës e cila u kërkoi të ktheheshin në Britani për të ndërmarrë sulme. Në shembuj të tjerë, si në Irak, disa prej të rinjve që u kthyen vendosën vetë se ishte detyra e tyre për t’u përpjekur të bënin diçka në Mbretërinë e Bashkuar."

Ky sulm vetëvrasës në dhjetor mendohet të jetë kryer nga Nicholas Bons, një xhihadist francez që lufton me grupin Shteti Islamik në Irak dhe zonën e Levantit. Në
Siri kanë shkuar rreeth 700 qytetarë francezë.

Gjykatësi francez i kundër-terrorizmit Marc Trevidic po bën thirrje për më tepër dialog me bashkësitë myslimane në Francë.

"Deri tani, jemi mbështetur vetëm tek drejtësia kundër-terrorizmit, pra vetëm kemi reaguar kundër tij, dhe ky është dështim."

Ekspertët thonë se mediat sociale u lejojnë xhihadistëve të mundshëm të shohin konfliktin sirian në kohë reale dhe i ndihmojnë të lidhen me luftëtarët në terren për të planifikuar udhëtimin e tyre.

XS
SM
MD
LG