Lidhje

Avionët luftarakë rusë patrullojnë kufirin me Ukrainën


Presidenti i rrëzuar ukrainas Viktor Yanukovych thotë se ende e konsideron veten kreun e shtetit dhe i ka kërkuar Rusisë të sigurojë jetën e tij personale. Zoti Yanukovych bëri një deklaratë sot për agjencitë ruse të lajmeve nga një vend i panjohur. Ai nuk është parë në publik që nga e shtuna, kur parlamenti votoi për heqjen e tij nga pushteti dhe njoftoi zgjedhje të parakohshme për në 25 maj. Ndërkohë, presidenti në detyrë i Ukrainës Oleksandr Turchynov ka paralajmëruar flotën ruse në Krime të mos largohet nga posti i saj, pasi persona të armatosur morën nën kontroll ndërtesa qeveritare në kryeqytetin rajonal.

Presidenti i përkohshëm Oleksandr Turchiyov paralajmëroi sot se çdo lëvizje e trupave ruse do të konsiderohet si agresion ushtarak. Flota ruse në Detin e Zi e ka bazën në Sevastopol të Krimesë.

“Do të doja t’i drejtohesha udhëheqjes së Federatës Ruse lidhur me detyrimet e marrëveshjes bazë rreth pranisë ushatarake ruse në Republikën Autonome të Krimesë, në Sevastopol, dhe në lidhje me papranueshmërinë e shkeljes së ligjeve ukrainase nga personeli ushtarak i Flotës Ruse në Detin e Zi.''

Po sot, ministri i brendshëm ukrainas në detyrë Arsen Avakov tha se policia është në gjendje gatishmërie pasi parlamenti dhe disa ndërtesa qeveritare u morrën nën kontrol nga persona të armatosur në kryeqytetin Simferopol në rajonin pro-rus.

Lajmet bënë të ditur se mbi ndërtesa u ngrit flamuri rus dhe zoti Avakov tha se policia nuk mund të hyjë në to.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Chuck Hagel i bëri thirrje Rusisë të mos ndërmarrë ndonjë veprim në Ukrainë që mund të keqinterpretohet.

Në një konferencë shtypi në Bruksel pas takimit të ministrave të mbrojtjes së Natos, zoti Hagel përmendi shqetësimin se Rusia mund të veprojë në një mënyrë që do të çonte në llogaritje të gabuara gjatë asaj që ai e quajti moment delikat.

"Sot unë riafirmoj mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara për integritetin territorial të Ukrainës dhe ministrat e mbrojtjes së Natos bënë të njëjtën deklaratë. Ne presim që vendet e tjera të respektojnë sovranitetin e Ukrainës dhe të shmangin veprime provokuese.”

Sekretari i Përgjithshëm i Natos Anders Fogh Rasmussen i bëri thirrje Rusisë të mos ndërmarrë veprime që do të shkallëzonin tensionet në Ukrainë.

Rusia ndërkohë vendosi avionët e saj luftarakë në gjendje gatishmërie përgjatë kufirit të saj perëndimor. Dje presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi një manovër ushtarake urgjente për të testuar gadishmërinë luftarake të forcave të armatosura në pjesën peredimore të vendit, një demonstrim force ky në atmosferën e tensioneve me Perëndimin për Ukrainën.
XS
SM
MD
LG