Lidhje

Shkollat amerikane shmangin pezullimet e nxënësve


Në shkollat amerikane ka një prirje në rritje për të rishqyrtuar masat disiplinore ndaj nxënësve për sjellje të keqe, duke përfshirë edhe gjetjen e alternativave të tjera në vend të dënimeve si pezullimi nga shkolla. Materiali në vazhdim përqëndrohet tek qyteti i Los Anxhelosit dhe tek mënyra se si këto ndryshime të politikave disiplinore ndikojnë te nxënësit.

Të rritesh në këtë lagje kryesisht hispanike e njohur për varfërinë dhe bandat e saj, mund të jetë e vështirë. Ky ishte rasti i nxënësit të shkollës së mesme Garfield Marco Antonio Aguilar.

"Vitin e parë, çdo gjë shkonte keq. E urreja shkollën," thotë Marco.

Ai thotë se shoqërohej me persona të gabuar. Shpesh nuk shkonte në shkollë, ishte përfshirë dhe në zënka.
Marcon e pezulluan nga shkolla dhe për pak iu desh të shkonte në një shkollë për nxënës me probleme. Por një bisedë me nënën e tij i hapi sytë.

"Ajo çka përmirësoi situatën edhe më tepër ishte ndihma e mësuesve dhe fakti që kuptova se atyre u interesoja. Shkolla më ndihmoi vërtet."

"Nxënësit nuk duhen pezulluar, është diçka që nuk jep asnjë rezultat. Zgjidhja është shumë e thjeshtë dhe nuk është as e kushtueshme: duhet të afrohesh me nxënësit."


Drejtori i shkollës Garfield, Jose Huerta, thotë se kur ai mori detyrën më shumë se katër vjet më parë, niveli i braktisjes së shkollës ishte mbi 50 për qind dhe kishte pothuajse 700 pezullime në vit. Ai thotë se shumica e pezullime ishin për probleme me sjelljen, të cilat zyrtarët e shkollës i quajnë "mosbindje të qëllimshme".

"Mund të jenë dhe veprime si përtypja e çamçakëzit në klasë apo ngjitja e çamçakëzit nën bankë."
Zoti Huerta i ndryshoi rregullat disiplinore. Ata që kryejnë mosbindje të qëllimshme nuk pezullohen më. Në vend të kësaj mase, nxënësit së pari mund të flasin me një mësues, pastaj mund të përfshihet një prind dhe në fund, nëse është e nevojshme, një grup mbështetjeje.
Shkolla e mesme Garfield tani ka një nivel diplomimi 85 për qind dhe atmosfera ka ndryshuar.

"Arsyeja pse nuk shohim më vandalizma apo gjëra të tjera është se tani kemi krijuar një lidhje me studentët tanë. Ata na respektojnë thellësisht dhe ne i respektojmë po aq shumë. Unë madje u them se i dua. Sa herë që kemi një mbledhje i them: "Mos harroni se unë ju dua dhe ne të gjithë ju duam" dhe ata përgjigjen me duartrokitje, sepse nuk është diçka që u thuhet shepsh."

Ndëshkimet për probleme me sjelljen vendoseshin nga çdo shkollë në mënyrë të veçantë në këtë zonë të Los Anxhelosit. Por vitin e kaluar, drejtoria arsimore e zonës i ndaloi pezullimet për rastet e mosbindjes së qëllimshme.

"Kishte tepër pezullime dhe shumë, shumë më tepër pezullime për nxënësit afrikano-amerikanë dhe hispanikë."

Në një mesazh në faqen e internetit të Departamentit amerikan të Arsimit, Sekretari Arne Duncan thotë se “pezullimi dhe dëbimi i nxënësve për sjellje jo të dhunshme ka kosto të madhe si për studentët dhe për komunitetet e tyre.”
Departamenti i Arsimit dhe ai i Drejtësisë bënë thirrje kohët e fundit që shkollat të gjejnë alternativa të tjera në vend të pezullimeve për sjellje jo të dhunshme.
Dan Losen, i Projektit për të Drejtat Civile në UCLA, thotë se ndërsa 60 për qind e shkollave të mesme në SHBA nuk paraqesin norma të larta pezullimesh, ato që e kanë këtë problem shpesh janë në lagje të varfra afrikano-amerikanësh ose latinësh.

"Shkollat që pezullojnë një numër të madh nxënësish nuk kanë rezultate më të larta. Ato nuk kanë shkallë më të mira diplomimi."

Presidenti për Los Anxhelosin i sindikatës Mësuesit e Bashkuar, Warren Fletcher, thotë se pezullimi i një nxënësi nuk duhet të jetë asnjëherë alternativa e parë, por sipas tij as heqja totale e kësaj mundësie nuk është zgjidhje e duhur.

"Nëse e heq këtë alternativë, pra nëse vendos që shkolla të mos e disponojë mundësinë e pezullimit të nxënësit në një mjedis me klasa të mbipopulluara, ndërsa ka dhe shkurtime të thella në buxhetin për kujdesin e shëndetin mendor të nxënësve, kjo krijon një mjedis të tensionuar në shkollë. Dhe nuk është gjë e mirë për askënd."

Ndërsa numri i pezullimeve nga shkolla në mbarë vendin duket të jetë në rënie, shumë ekspertë të arsimit thonë se një zgjidhje më e qëndrueshme do të ishte kombinimi i ndryshimeve të masave disiplinore me një shtim të fondeve për mbështetje të nxënësve - në mënyrë që ata mund të kenë sukses si Marco Antonio Aguilar, i cili planifikon të shkojë në universitet, pasi të marrë diplomën këtë vit.
XS
SM
MD
LG