Lidhje

AAK me peticion për shkarkimin e qeverisë


Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, filloi fushatën për nënshkrimin e një peticioni qytetar për rrëzimin e qeverisë si rrugë për të çuar vendin në zgjedhje të reja.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, filloi sot një fushatë për nënshkrimin e një peticioni për shkarkimin e qeverisë së Kosovës. Vendimi për të kërkuar mbështetjen qytetare pasoi mosmbështetjen e partive opozitare në Parlamentin e Kosovës për një mocion mosbesimi ndaj qeverisë, që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e sheh si rrugë për të çuar vendin në zgjedhje të reja parlamentare.

Kryetari i kësaj partie Ramush Haradinaj, u bëri thirrje sot të gjitha partive politike që të shqyrtojnë qëndrimin e tyre dhe të mbështesin mocionin për shkarkim të qeverisë.

Në tekstin e peticionit që u është ofruar qytetarëve për nënshkrim thuhet mes tjerash se “Qeveria e Kosovës ka humbur shumicën e nevojshme parlamentare për të qeverisur. Gjendja ekonomike dhe sociale në Kosovë është duke u përkeqësuar në vazhdimësi. Papunësia po rritet. Korrupsioni nuk po ndalet. Kosova është vendi më i izoluar në Evropë. Qeveria aktuale e ka mbytur shpresën e qytetarëve për jetë më të mirë. Gjendja e sigurisë në Kosovë po përkeqësohet. Kosova po përballet me sfida të mëdha në të gjitha lëmit e jetës dhe të politikës. Për të gjitha këto arsye dhe shumë të tjera, qeveria aktuale dhe koalicioni qeverisës e kanë humbur legjitimitetin për të udhëhequr me vendin dhe nuk janë në gjendje që as politikisht e as moralisht të vazhdojnë të qeverisin më tutje. Kjo qeveri duhet të shkarkohet”.

Viti 2014 është periudhë zgjedhjesh në Kosovë dhe aktualisht debatet janë përqendruar rreth rrugës që do të ndiqet për ta çuar vendin në zgjedhje.

Dy partitë më të mëdha në vend, Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike, janë pajtuar që pas miratimit ndryshimeve në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, të fillojë procedura e shpërndarjes së Parlamentit dhe organizimit të zgjedhjeve mundësisht në muajin qershor.

Zoti Haradinaj tha se nuk do të kundërshtojë shpërbërjen e parlamentit, por për të rruga më e mirë është rrëzimi i qeverisë, ndërsa shpreson se mbështetja qytetare do të mundësojë hedhjen e një mocioni të tillë për diskutim në Parlament.

Sipas ligjeve në fuqi, dhjetë mijë nënshkrime të qytetarëve janë të mjaftueshme për të detyruar Parlamentin që të hedhë në rend dite një çështje të caktuar.
XS
SM
MD
LG