Lidhje

Pesë të arrestuar në Shtërpcë


Policia e Kosovës arrestoi pesë veta në komunën e Shtërpcës e banuar me shumicë serbe, nën dyshimet për zbulim të fshehtësisë zyrtare dhe keqpërdorim detyre

Në Kosovë, policia tha se ka arrestuar pesë persona, nën dyshimet për përfshirje në kryerjen e veprave penale, zbulim i fshehtësisë zyrtare, armëmbajtje pa leje e keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit.

Arrestimet janë kryer gjatë një operacioni kontrollesh në komunën e Shtërpcës në Kosovën jugore, një komunë e banuar me shumicë serbe.

Në një njoftim të policisë thuhet se operacioni ishte pjesë e hetimeve të filluara muaj më parë ndaj një personi që dyshohet të jetë pjesëtar i Ministrisë së Brendshme të Serbisë i cili ishte arrestuar gjatë zgjedhjeve për pushtetin komunal në dhjetor të vitit të kaluar.

Gjatë operacionit është zbuluar dhe konfiskuar një sasi e konsiderueshme e armëve, municioneve e parave, ndërsa pesë persona, në mesin e të cilëve katër zyrtarë policorë janë arrestuar dhe tashmë u është shqiptuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.

Policia nuk ka dhënë hollësi të tjera rreth natyrës së veprimeve të të arrestuarve, ndërsa autoritetet serbe reaguan duke e cilësuar këtë një veprim që siç thuhet synon të frikësojë serbët dhe të nxisë largimin e tyre nga Kosova.
XS
SM
MD
LG