Lidhje

SHBA, thirrje Rusisë të tërheqë trupat në kazerma


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry i bëri thirrje Rusisë të tërheqë trupat nëpër kazerma dhe t'i japë fund shkallëzimit të situatës në gadishullin ukrainas të Krimesë.

Duke folur në Kiev të Ukrainës, zoti Kerry ritheksoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës. Ai tha se Shtetet e Bashkuara e dënojnë aktin e agresionit të qeverisë ruse dhe qëndrojnë përkrah popullit të Ukrainës.

Zoti Kerry tha se Rusia ka zgjedhur rrugën e frikësimit, të mashtrimit dhe të provokimit duke fshehur dorën. Ai hodhi poshtë deklaratat e Rusisë se parlamenti i Ukranës është jo legjitim. Zoti Kerry tha se parlamenti është institucioni më përfaqësues sot në Ukrainë.

Duke iu referuar presidentit të rrëzuar Viktor Jnukoviç, sekretari amerikan i shtetit tha se ai e braktisi vendin dhe popullin e tij. Zoti Kerry mohoi pohimet ruse se Kievi po destabilizon gjendjen në gadishullin ukrainas të Krimesë.

Ai tha se ushtarët e Ukrainës në Krime nuk kanë provokuar dhe nuk kanë shkrehur një armë. Zoti Kerry i bëri thirrje Rusisë që të përdorë diplomacinë dhe jo forcën për zgjidhjen e problemeve. Ai tha se sot ka shumë institucione për zgjidhjen e çështjeve të tilla.

Nëse Rusia nuk është e gatshme ta bëjë këtë, paralajmëroi Sekretari i Shtetit, "ne nuk kemi alternativë tjetër por ta izolojmë Rusinë politikisht, ekonomikisht dhe diplomatikisht."

Sekretari Kerry mbërriti sot në Kiev, për t’u takuar me anëtarët e qeverisë së përkohëshme dhe për të theksuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për sovranitetin e Ukrainës. Ai premtoi një ndihmë prej 1 miliardë dollarësh për Ukrainën në formën e garancive për kreditë.
XS
SM
MD
LG