Lidhje

Kina kërkon mirëkuptim në luftën kundër terrorizmit


Kina po i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar për më tepër mirëkuptim dhe mbështetje në atë që ajo e cilëson luftë kundër terrorizmit.

Kjo thirrje e Kinës vjen pasi disa persona me maska dhe të armatosur me shpata, vranë të shtunën 29 vetë dhe plagosën 130 të tjerë në një stacion treni në qytetin Kunming në jugperëndim të vendit.

Asambleja Kombëtare Popullore hapet nesër në Pekin, mes masash të forta sigurie. Zëdhënësja e Asamblesë kërkoi mirëkuptimin e komunitetit ndërkombëtar.

Pekini ka fajësuar për sulmin e së shtunës militantët nga rajoni veriperëndimor Xinjiang, ku pakica kryesisht myslimane ujgure ankohet për shkelje të të drejtave nga ana e qeverisë.

Trazirat nga popullsia ujgure nuk janë diçka e pazakontë në Xinjiang. Qeveria për vite me radhë i ka cilësuar raste të ngjashme dhune, madje edhe protestat në rrugë dhe të shtënat gjatë operacioneve të policisë, si sulme terroriste.
XS
SM
MD
LG