Lidhje

Qëndrimi kinez për Ukrainën


Marrëdhëniet e Kinës janë të komplikuara si me Ukrainën edhe me Rusinë

Ndërsa kriza në Ukrainë vazhdon lidhur me dislokimin e forcave ruse në Krime, diplomatët rusë kanë përsëritur se Kina mbështet veprimet e Rusisë atje. Gjatë gjithë kësaj jave komentet e Kinës për situatën kanë qënë të pakta.

Qin Gang, zëdhënës i ministrisë së jashtme kineze tha se Kina beson në mos-ndërhyrje në punët e brendshme dhe po studion faktet historike si dhe kompleksitetin e situatës.
Kjo deklaratë bie në kontrast me një tjetër të bërë këtë javë nga Ministria e Jashtme ruse pasi ministrat e jashtëm të të dy vendeve biseduan në telefon. Rusia tha se Moska dhe Pekini kishin pikëpamje të njëjta për situatën në Ukrainë duke lënë të kuptohej se Rusia kishte mbështetjen e Kinës për veprimet ushtarake atje.

Por Ministria e Jashtme e Kinës ka thënë se Kina respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe se të gjitha palët duhet të përdorin dialogun dhe negociatat për të ruajtur paqen.

Mbulimi i ngjarjes nga media kineze ka qënë më i spikatur. Në një artikull redaksional këtë javë gazeta Global Times e Kinës theksonte se “situata në Ukrainë tregon qartë se në arenën politike ndërkombëtare, parimet vendosen nga forca”. Në një artikull të agjencisë shtetërore Xinhua argumentohej se “ndërmjetësimi i njëanshëm i Perëndimit ka polarizuar Ukrainën dhe e ka përkeqësuar situatën në vend.”

Wang Dong, profesor për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Universitetin e Pekinit, thotë se pikëpamjet e kundërta të paraqitura nga media kineze dhe qeveria janë për shkak se Kina ka shumë për të humbur dhe fituar nga mënyra sesi do të vazhdojë kriza në Ukrainë.
“Kina rrezikon shumë për shkak të investimeve dhe biznesit me Ukrainën.”

Gjatë viteve të fundit Ukraina dhe Kina kanë formuar partneritete ushtarake, tregëtare dhe bujqësore. Në vitin 2012 Ukraina u bë eksportuesja e katërt më e madhe në botë e armëve dhe shumë nga këto eksporte shkuan drejt Kinës. Aeroplanmbajtësja e parë Liaoning, u ndërtua në Ukrainë.

Ukraina ra dakord vitin e kaluar për një marrëveshje që i jep Kinës 5 përqind të tokës për të rritur drithëra dhe derra për kompanitë shtetërore kineze. Si pjesë e marrëveshjes Kina premtoi të ndërtojë autostrada dhe ura në Ukrainë.

Kina ka premtuar gjithashtu 8 miliardë dollarë ndihma gjatë vizitës së ish presidentit ukrainas Viktor Yanukovych në dhjetor në Pekin. Kjo është përvec 10 miliardëve të investuara më parë në vend.

Lufta në Ukrainë do të rrezikonte investimet e Kinës atje dhe komentet e Kinës këtë javë mund të jenë një balancë delikate mes ofrimit të një farë mbështetje për Rusinë fqinje por pa mbështetur drejtpërsëdrejti ndërhyrjen ushtarake nga asnjëra palë, gjë që do ta çonte rajonin në një kaos më të madh.
XS
SM
MD
LG