Lidhje

Terrorizmi, 7 të arrestuar në Shqipëri


Xhamia Tirane

Xhamia Tirane

Në Shqipëri një operacion i drejtuar nga prokuroria e krimeve të rënda coi sot në arrestimin e 7 personave të cilët dyshohen se rekrutonin besimtarë musliman që të luftonin në Siri. Mes tyre edhe dy persona të cilët drejtonin dy xhami në periferi të Tiranës të cilët sipas prokurorisë nuk ishin të autorizuar nga Komuniteti musliman. Gjashtë të tjerë janë shpallur në kërkim. Prokuroria njoftoi se gjatë kontrolleve janë gjetur armë, karta të ndryshme telefonike, kontrata depozitash bankare si dhe veshje ushtarake.

Operacioni i sotëm i shtrirë në disa qytete të vendit, vjen pas një sërë njoftimesh për angazhim të besimtarëve shqiptarë në luftimet në Siri. Për ta nuk ka një shifër të saktë, sikundër edhe për ata që kanë mbetur të vrarë në konfliktin e atjeshëm. Por hetimet e prokurorisë dhe arrestimet e sotme duket se flasin për struktura të organizuara për dërgimin e luftëtarëve nga Shqipëria.
Të arrestuarit e sotëm dyshohet të kenë rekrutuar të paktën 50 persona. Mes të arrestuarve janë drejtues të dy xhamive në periferi të kryeqytetit, Genci Balla dhe Bujar Hysa. Sipas prokurorisë ata ishin vetshpallur imam dhe dyshohet të jenë organizator të rrjetit për rekrutim, ndërsa të arrestuarit e tjerë dyshohet se ishin bashkëpunëtorë të tyre. Balla sipas prokurorisë konsiderohet si një teolog radikal që mbështet rrymën tekfiriste e cila predikon islamin e dhunshëm. Ndërsa Hysa vlerësohet si një ndër ndjekësit e tij më të afërt.
“Shtetasit Genci Balla dhe Bujar Hysa, të cilët ushtrojnë aktivitet fetar ilegal, të palegalizuar në zonën e Unazës së Re dhe në fshatin Mëzez, Tiranë, dyshohet se kanë kryer veprime aktive për indoktrinuar persona të ndryshëm me ideologji radikale, për t’u angazhuar më pas në luftime në përbërje të grupeve terroriste ekstremiste që janë nën sanksione nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Shtetasit Edmond Balla dhe Vervi Morava dyshohet se kanë kryer veprime konkrete për dërgimin e disa shtetasve shqiptarë në Siri. Ndërsa shtetasit Fadil Musulmani, Zeqir Imeri dhe Astrit Tola dyshohet se kanë kryer veprime aktive për të ndihmuar organizatorët në rekrutimin dhe më pas dërgimin e disa shtetasve shqiptarë në Siri” deklaroi drejtuesi i Prokurorise per Krimet e Renda Eugen Beci.
Nga kontrollet e ushtruara, në banesat e të paktën tre prej të arrestuarve, janë gjetur armë e fishekë, karta të ndryshme telefonash celular, veshje ushtarake, si dhe kontrata depozitash bankare. Sipas prokurorisë të gjithë akuzohen “për veprat penale të “Rekrutimit të personave me qëllim kryerjen e veprimeve terroriste”; të “Nxitjes, thirrjes publike dhe propaganda për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste”, dhe të “Nxitjes së urrejtjes ose e grindjeve ndërmjet kombësive, racave dhe feve”, tha zoti Beci.
Besimtarët e xhamisë së Unazës së re, të cilët thonë se ajo ëstë ndërtuar me kontributet e komunitetit të zonës, u ankuan per veprimet e policisë e cila sipas tyre ka dhunuar mjediset fetare, ndërsa ata ishin detyruar të kryenin ritet fetare në rrugë. Ata i dolën në mbrojtje Ballës, drejtuesit të xhamisë.
Nga ana tjetër komuniteti musliman përmes një deklarate u shpreh se të arrestuarit nuk janë punonjës të këtij komuniteti, ndërsa saktësoi se "pjesëmarrja në konflikte dhe nxitje dhune nuk përputhet me shpirtin e fesë islame".

Trego komentet

XS
SM
MD
LG