Lidhje

Brennan: CIA nuk ka ndërhyrë në kompjuterat e Senatit


Drejtori i CIA-s, John Brennan tha se agjencia nuk ka ndërhyrë në kompjuterat e Komisionit të Senatit për Çështjet e Zbulimit që po përdoreshin për të hetuar disa praktika marrjesh në pyetje të të dyshuarve për terrorizëm gjatë kohës së administratës së presidentit Bush.

Duke folur të martën në komisionin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, zoti Brennan tha, siç u shpreh ai, se “asgjë nuk mund të jetë më larg të së vërtetës. Ne nuk i bëjmë këto gjera”.

Kryetarja e Komisionit të Senatit për Çështjet e Zbulimit, senatorja Dianne Feinstein kishte thënë më parë se CIA i kishte kontrolluar kompjuterat në mënyrë të papërshtatshme. Senatorja Feinstein, tha sot se, siç u shpreh ajo, se “është shumë e shqetësuar pasi kontrolli i kompjuterave nga CIA mund të ketë shkelur parimin e ndarjes së pushtetit siç mishërohet në kushtetutën amerikane”.

Ajo tha se zyra e kontrollit të brendshëm të CIA-s, ia kishte kaluar çështjen ministrisë së Drejtësisë për hetime rreth mundësisë së “kryerjes së veprave penale nga punonjës të CIA-s.”

CIA i kishte dorëzuar komisionit të senatit kompjutera që përmbanin miliona dokumente sekrete, në kuadër të hetimeve për akuzat se punonjësit e CIA-s kishin torturuar të ndaluarit për terrorizëm gjatë marrjes së tyre në pyetje.
XS
SM
MD
LG