Lidhje

Përfundon pa rezultat takimi Kerry-Lavrov


Takimi në Londër mes Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry dhe Ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov lidhur me zhvillimet në Ukrainë përfundoi pa rezultat. Raundi i sotëm i bisedimeve në Londër, ishte një përpjekje e fundit për shmangien e referendumit të së dielës në Krime lidhur me të ardhmen e rajonit, por zoti Kerry tha se zoti Lavrov nuk kishte pranuar propozimet e Shteteve të Bashkuara.

“Pas shumë diskutimesh, Ministri i Jashtëm Lavrov e bëri të qartë se Presidenti rus Vladimir Putin nuk është i gatshëm të marrë ndonjë vendim lidhur me krizën në Ukrainë, deri pasi të zhvillohet referendumi i së dielës për të ardhmen e gadishullit ukrainas të Krimesë”.

Zoti Kerry tha se ShBA vazhdojnë të jenë për një dialog të drejtpërdrejtë me Rusinë për zgjidhjen e krizës. Ai tha se kishte ardhur në Londër me ide konstruktive dhe kishte paraqitur një numër alternativash.

Sekretari i Shtetit theksoi se SHBA janë të shqetësuara për dislokimin e forcave të shumta në Krime. Ai tha gjithashtu se ia kishte bërë të qartë zotit Lavrov se Rusia do të kishte pasoja nëse nuk do të gjente rrugën për të ndryshuar kurs.

Ai tha se nëse Rusia kërcënon popullin ukrainas atëhere përgjigja e Perëndimit do të jetë më e fortë dhe kjo do të shoqërohej me pasoja.

Zoti Kerry tha se SHBA besojnë se Rusia ka interesa legjitime në Ukrainë, por kjo, tha ai, kërkon që edhe Rusia të respektojë nevojën për zgjidhjen e kësaj sfide. Ai bëri thirrje që kriza të zgjidhet përmes institucioneve dhe forumeve ndërkombëtare.

Ministri i Jashtëm rus, Lavrov tha pas takimit, se bisedimet ishin të dobishme por se nuk ka një vizion të përbashkët mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara mbi këtë çështje. Ai tha se Rusia do të respektojë vullnetin e popullit të Krimesë.

Zoti lavrov kritikoi gjithashtu sanksionet që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po shqyrtojnë kundër Rusisë. Ai i quajti sanksionet “një instrument kundër-produktiv” që nuk do të ndihmonin interesat e përbashkëta.

Të premten, Kremlini tha se presidenti Putin i tha Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-moon përmes një bisede telefonike se referendumi në Krime është plotësisht në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe Kartën e OKB-së.

Udhëheqësit amerikanë dhe evropianë e kanë quajtur referendumin e mbështetur nga Rusia “jo kushtetues”.
XS
SM
MD
LG