Lidhje

Marrëdhëniet SHBA-Rusi dhe Siria


Analistët për Lindjen e Mesme thonë se prishja e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë rreth krizës në Ukrainë, ka gjasa të ketë ndikim në Lindjen e Mesme, sidomos në lidhje me konfliktin në Siri, i cili po hyn në vitin e katërt.

Ka shqetësime se përçarja e shkaktuar nga kriza në Krime mund ta heqë vëmendjen nga Siria dhe të lejojë Presidentin Assad të shtypë opozitën për të siguruar rizgjedhjen.

Skena i ngjante një fushate elektorale. Qindra sirianë demonstronin në një periferi të Damaskut, të gjithë në mbështetje të presidentit Bashar al-Assad. Ata brohorisnin për ushtrinë dhe bënin thirrje për bashkim. Ja si u shpreh Mohamad al-Ghazali, përkrahësi i presidentit Assad:

“Erdhëm për të deklaruar se ne e mbështesim udhëheqësin, doktor Bashar al-Assad. Erdhëm për t’u thënë ‘jo’ trazirave. Populli sirian është një popull i bashkuar.”

Pastaj, në një dalje të rrallë publike, vetë presidenti iu bashkua thirrjeve gjatë një vizite të kohëve të fundit në strehat për njerëzit e zhvendosur nga lufta. Zyrtarët sirianë thonë se zgjedhjet presidenciale do të mbahen gjatë muajve të ardhshëm dhe se zoti Assad pritet të fitojë.

Ndërmjetësi ndërkombëtar Lakhdar Brahimi paralajmëron se zgjedhjet do të rrezikojnë bisedimet për paqe:

“Nëse mbahen zgjedhje, dyshimi im është se opozita, tërë opozitarët, ka mundësi të mos jenë të interesuar të hyjnë në bisedime me qeverinë.”

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë bashkëpunuar për heqjen e armëve kimike të Sirisë, edhe pse ata mbështesin palë të kundërta në konflikt. Por tani ka shqetësime se përçarja e shkaktuar nga kriza në Krime mund ta heqë vëmendjen nga Siria dhe të lejojë zotin Assad të përpiqet të shtypë opozitën për të siguruar rizgjedhjen.

Ish-ambasadori amerikan në Irak James Jeffrey, u shpreh kështu:

“Ne duhet ta vëzhgojmë situatën në Siri, e cila është e vështirë jo nga konteksti i marrëdhënieve me Rusinë, por në lidhje me pozitën tonë në Lindjen e Mesme. Ne duhet të jemi shumë më aktivë, të lëvizim më shpejt.”

Trupat e qeverisë siriane kohët e fundit kanë arritur fitore.

Moska e furnizon me armë Damaskun dhe e mbështet luftën e tyre kundër rebelëve të armatosur.
Megjithatë, me vëmendjen e botës drejt Ukrainës, disa analistë thonë se Siria mund të mos jetë më përparësi për Rusinë. Ja ç'thotë ish-ambasadori amerikan në Bahrein Adam Ereli:

“Me problemet që kanë në vend, ose më mirë, në kufi, mendoj se rusët do t’i kushtojnë shumë më pak vëmendje dhe do të kenë më pak dëshirë të shpenzojnë kohë dhe kapital politik për të mbështetur presidentin Assad.”

Ndërsa lufta civile vazhdon, një ringjallje e tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë si në epokën e Luftës së Ftohtë, mund të ketë ndikim për çështje të tjera në Lindjen e Mesme duke përfshirë negociatat me Iranin rreth programit të tij bërthamor dhe bisedimet e paqes Izraelito-Palestineze.

Të dyja janë më lart se Siria në axhendën e politikës së jashtme të administratës Obama, thotë Profesor Keith Darden i Universitetit Amerikan:

“Mendoj se përçarja diplomatike që po shohim tani, nëse vazhdon, do të ketë pasoja në pothuajse çdo sferë të politikës ndërkombëtare.”

Herën e fundit presidenti Assad kandidoi për rizgjedhje në vitin 2007. Shifrat zyrtare thanë se ai fitoi më shumë se 97 për qind të votave. Analistët thonë se një rezultat i ngjashëm mund të pritet edhe kësaj rradhe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG