Lidhje

Yellen për herë të parë përballë gazetarëve


Shefja e re e Bankës Qendrore amerikane Janet Yellen ka filluar tashmë punën, duke u përpjekur të nxisë ekonominë, të ulë papunësinë dhe të mbajë nën kontroll inflacionin. Të mërkurën ajo do të jetë përballë gazetarëve në konferencën e saj të parë për shtyp në rolin e ri si shefe e Rezervës Federale, një pozitë që e bën atë nga gratë më të rëndësishme në botë. Zonja Yellen thotë se një komunikim më i mirë për çështjet dhe politikat ekonomike do ta ndihmojë ekonominë.

Kur flet Janet Yellen, njerëz të fuqishëm dëgjojnë.
Shefja e re e Rezervës Federale ka informuar disa herë komisione të Kongresit mbi përpjekjet për të përshpejtuar rimëkëmbjen ekonomike dhe për të përmirësuar tregun e punës, pa shkaktuar inflacion.

Ajo thotë se një program i Bankës për blerje të bonove të thesarit, që synon ulje të normave afatgjata të interesit, nuk po shkurtohet as shumë ngadalë e as shumë shpejt. Ky është një shembull me të cilin profesorja e ekonomisë vë në zbatim aftësitë e saj të mësimdhënies dhe të komunikimit.

"Unë besoj fuqimisht se politika monetare është më efektive kur publiku e kupton se çfarë kërkon të bëjë Banka Qendrore dhe se si ka në plan të veprojë."

Presidenti Obama e zgjodhi zonjën Yellen si gruan e parë në krye të Rezervës Federale, pjesërisht sepse se ajo i kupton shqetësimet e njerëzve të zakonshëm.

"Shumë amerikanë ende nuk mund të gjejnë një vend pune dhe janë të shqetësuar se si të paguajnë faturat dhe si të mbajnë familjet," është shprehur Janet Yellen.

Por zoti Obama thotë se ajo është gjithashtu e fortë, efikase dhe shumë e aftë.

"Ajo dha alarmin që herët për rritjen artificiale të tregut të shtëpive, për teprimet në sektorin financiar dhe për rreziqet e një recesioni të madh."

Përveç përvojës me dëshmitë para ligjvënësve në Kongres, zonja Yellen ka qenë numri dy i Bankës Qendrore Amerikane, shefe e Rezervës Federale në San Francisko dhe këshilltare e presidentit për ekonominë. Ajo është profesore e ekonomisë, studiuese shkencore, dhe jep mësim në Universitetin e Kalifornisë në Berkeley dhe universitete të tjera prestigjoze.

Një koleg i saj, i cili e njeh prej dekadash, thotë se ajo do të ketë arritje në krye të Rezervës Federale, pasi dëgjon mendimet e të tjerëve, është e aftë me njerëzit dhe madje ka mësuar prej nxënësve të saj që vijnë në Universitetin e Berkeley-t nga e gjithë bota. Në një intervistë me Skype, profesori i këtij universiteti, Jim Wilcox, thotë se zonja Yellen është në gjendje të përdorë humorin për të ulur tensionin gjatë një mbledhjeje, por zakonisht nuk është njeri i batutave.

"Ajo ka një sens të mirë humori. Por mundësia më e madhe është që të jetë në anën e kërkesës sesa të ofertës. Kur bëhet fjalë për humor, ajo i vlerëson shakatë e mira."

Ekonomia është një çështje familjare për Janet Yellen, e cila është e martuar me një fitues të Çmimit Nobel për ekonominë. Djali i tyre është profesor ekonomie.

"Do të doja të falënderoja bashkëshortin tim George dhe djalin Robert. Nuk mund ta imagjinoj se do ta kisha marrë këtë detyrë pa dashurinë dhe mbështetjen e tyre," tha ajo.

Duke pasur parasysh ekonominë e brishtë amerikane dhe politikën e ndërlikuar të Uashingtonit, shefes së re të Bankës Qendrore do t’i duhet e gjithë mbështetja familjare pa folur për aftësitë e saj personale.
XS
SM
MD
LG