Lidhje

Biden: Veprimi i Rusisë grabitje territori


Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov i tha Sekretarit amerikan të Shtetit John Kerry, se sanksionet ndaj Rusisë lidhur me aneksimin e Krimesë, janë “të papranueshme” dhe “nuk do kalojnë pa pasoja”.

Zoti Lavrov foli sot në telefon me zotin Kerry, disa orë pasi Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi traktatin që e bashkon gadishullin e Krimesë me Rusinë, në kundërshtim me dëshirën e Kievit dhe të Perëndimit.

Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden tha se ajo që ka bërë Rusia është rrëmbim territori i një vendi tjetër.

“Rusia ka dhënë një sërë argumentash, përfshirë ato të sotmet, për të justifikuar atë nuk është gjë tjetër, veçse një grabitje territori”.

Bota, tha më tej nën presidenti amerikan, nuk i ka pranuar argumentat ruse dhe do të vendosë sanksione të mëtejshme.

“Është një fakt i thjeshtë, që izolimi politik dhe ekonomik i Rusisë do të shtohet, në se ajo vazhdon në këtë rrugë. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian do të vendosin sanksione të tjera.”

Zoti Biden i bëri këto komente në Poloni, gjatë një takimi me kryeministrin polak Donald Tusk. Polonia ishte ndalesa e tij e parë e një turneu në Evropë, gjatë të cilit do të qëndrojë edhe në tri vendet balltike, Letoni, Lituani dhe Estoni, në kuadër të përpjekjeve të Uashingtonit për të siguruar aleatët që kanë shprehur shqetësime nga qëndrimi i Rusisë gjatë kohëve të fundit.

Komentet e nën presidentit Biden u bënë vetëm disa orë pas nënshkrimit nga Presidenti Putin të traktatit të bashkimit të Krimesë me Federatën Ruse, pas referendumit të së djelës, që zoti Biden e quajti “të nxituar dhe të paligjshëm” dhe që “nuk është pranuar nga pothuajse gjithë bota”.

Ndërkohë sekretari i Jashtëm britanik William Hague njoftoi sot se Britania ka pezulluar gjithë bashkëpunimin ushtarak me Rusinë, për shkak të Krimesë, përfshirë anulimin e manovrave të përbashkëta detare të planifikuara më parë, si dhe vizitën e një luftanije britanike në Rusi.

Në Francë, ministri i Jashtëm Laurent Fabius, tha sot gjatë një interviste për radion Europe-1, se udhëheqësit e Grupit të 8-shes, kanë vendosur ta pezullojnë pjesëmarrjen e Rusisë për shkak të ndërhyrjes në Krime dhe tensioneve me Ukrainën.

“Përsa i takon G-8, si një grup dialogu politik i gjithë vendeve më të mëdha, ne kemi vendosur të pezullojmë pjesëmarrjen e Rusisë. Të shtatë vendet e tjera do të bashkohen pa Rusinë.”

Dje Uashingtoni dhe Brukseli vendosën sanksionet e tyre të para ndaj zyrtarve rusë për mbështetjen që ata i dhanë referendumit në Krime.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG