Lidhje

Ukraina, marrëveshje asocimi me BE


Kryeministri i Ukrainës nënshkroi një marrëveshje politike asocimi me Bashkimin Evropian, duke e sjellë vendin e tij më pranë bllokut me 28 anëtarë. Marrëveshja u nënshkrua gjatë një takimi të nivelit të lartë të udhëheqësve të BE-së sot në Bruksel.

Marrëveshja e sotme mes kryeministrit Arseniy Yatsenyuk dhe udhëheqësve të Bashkimit Evropian ishte pjesë e paktit që presidenti i larguar ukrainas Viktor Janukoviç refuzoi ta mbështeste nëntorin e kaluar, duke u shprehur në favor të një ndihme prej 15 miliardë dollarësh nga Rusia.

"Ky gjest simbolizon rëndësinë që të dyja palët u japin këtyre marrëdhënieve dhe vullnetin tonë të përbashkët për t'i çuar ato më tej. Ai njeh aspiratat e popullit të Ukrainës për të jetuar në një vend të qeverisur nga vlerat, nga demokracia dhe nga shteti i së drejtës," tha Herman Van Rompuy, President i Këshillit të Bashkimit Evropian.

Nga ana e tij, Kryeministri i Ukrainës tha se vendi i tij dëshiron të jetë pjesë e Evropës.

"Kjo është një ditë historike për vendin tim dhe ne besojmë se kjo është ditë historike edhe për Evropën. Ne duam të jemi pjesë e një familjeje të madhe evropiane dhe ky është hapi i parë i madh që Ukraina të arrijë synimin e saj përfundimtar, anëtarësimin me të drejta të plota."

Dy javë më parë, pas rrëzimit të Presidentit Yanukovych, forcat ruse morën kontrollin e Krimesë, ndërsa këtë javë presidenti Vladimir Putin e aneksoi gadishullin e rëndësishëm strategjik të Detit të Zi.

Po sot, udhëheqësit e Bashkimit Evropian diskutuan gjithashtu mbi përshpejtimin e hapave për të ulur varësinë nga Rusia në furnizimin me naftë dhe gaz natyror. Ata thanë se aneksimi i Krimesë nga Moska i bën më të vendosur për ta ulur këtë varësi.

BE-ja ka bërë përparim në përmirësimin e sigurisë energjetike pas krizave të gazit në vitin 2006 dhe 2009, kur grindjet mes Kievit dhe Moskës mbi faturat e papaguara të gazit çuan në ndërprerjen e furnizimeve drejt Evropës perëndimore.
XS
SM
MD
LG