Lidhje

Dilema e Doneckut


Banorët e kësaj zone të Ukrainës janë të ndarë mes së kaluarës sovjetike dhe të ardhmes evropiane

Në Donetskun Qendror, një grup aktivistësh pro-rusë, mblidhen nën një statujë gjigande të Leninit, duke mbledhur firma dhe fonde për fushatën e tyre.
Shumica e atyre që janë mbledhur janë pensionistë nostalgjikë për të kaluarën sovjetike të Ukrainës dhe të shqetësuar se çfarë forme mund të ketë e ardhmja, nën kryeministrin e ri me prirje evropiane, Arseniy Yatsenyuk.

“Gjithçka është e panjohur, ne nuk e dimë se çfarë do të na ndodhë. Ai nuk na flet më”.

Dhe nuk është e vështirë ta kuptosh se nga vjen kjo nostalgji për regjimin sovjetik. Bulevardet e këtij qyteti të ndarë janë të mbushur me biblioteka, teatro dhe opera të bukura sovjetike. Po ashtu ka monumente për të rënët e Luftës së Dytë Botërore, një periudhë që ende ka ndikim të madh në botëkuptimin e shumë njerëzve.
Por tek brezi i ri, këto trashëgimi janë zbehur. Statuja e Leninit ndodhet përballë një McDonaldi, që është i mbushur me të rinj, shumica e të cilëve e vënë në dyshim motivin që ka dhënë Rusia për mbrojtjen e banorëve me përkatësi etnike ruse në Ukrainë.

“Ne duam që Ukraina të jetë në gjendje ta zgjedhë vetë rrugën e vet. Dhe kjo është më kryesorja tani. Mendoj se shumë njerëz, pavarësisht nga pikëpamjet e tyre për Bashkimin Evropian ose NATO, e kanë këtë ndjesi: që ne nuk na duhet kjo mbrojtje, sepse në fakt ne jemi të mbrojtur para gjithkujt”.
Në selinë e fortifikuar të qeverisjes lokale, grupi pro-rus Fronti Lindor ka ardhur për të bindur administratorët për të mbajtur referendum. Disa prej tyre nuk e fshihnin dot pakënaqësinë ndaj perëndimit.

“Më kujtohet sesi Zëri i Amerikës dhe Radioja Liria shkatërruan atdheun tim, Bashkimin Sovjetik. Trashëgimtarët e këtyre stacioneve janë ende këtu në Ukrainë duke predikuar për lirinë e shprehjes dhe të drejtat e njeriut. Nuk dua të flas me ju”.

Me rigjallërimin e protestave pro-ruse të planifikuara për këtë fundjavë, qeveria e re e Kievit duhet të bëjë të pamundurën që të bindë ukrainasit me përkatësi etnike ruse se do t’i mbrojë interesat e tyre. Përndryshe do të rrezikojë ta humbasë krejtësisht këtë rajon.
XS
SM
MD
LG