Lidhje

Histori: Çfarë ka ndodhur më 22 mars?

  • Astrit Lulushi

Gordian

Gordian

238 - Perandoria romake - Gordian i parë dhe biri i tij Gordian II shpallen perandorë; ata qëndrojnë në fron vetëm 1 muaj - ishte viti kur perandoria qeverisej nga 6 perandorë rivalë. Gordianët (babë e bir) udhëhoqën një betejë kundër perandorit Maximinus Thraks , humbën dhe të dy kryejnë vetëvrasje. Nuk ka të dhëna të besueshme për origjinën e familjes së tyre, por mendohet se ishin me prejardhje nga Anatolia.

1457 - Bibla Gutenberg bëhet libri i parë i shtypur. Libri u shit menjëherë, duke u përhapur në Angli dhe ndoshta Suedi dhe Hungaria . Në vitin 2009, 48 nga Biblat e para ekzistonin, por nga këto vetëm 21 me fletë të plota.

1622 – Amerikë; Masakra në Jamestown ku Indianët Algonquian vrasin 347 anglezë, një e treta e popullsisë së kolonisë. Në verën dhe vjeshtën e atij viti, kolonët që mbijetuan hakmerren duke djegur e shkatërruar fushat e misrit të indianëve, dhe detyruan shefin Opeçansan, për të negociuar. Gjatë ceremonisë së marrëveshjes kolonët u ofruan indianëve pije alkoholike, i dehën, i vunë në gjumë dhe vranë rreth 200 prej tyre - Opeçansan mundi të ikte.

1790 - Thomas Jefferson bëhet i pari Sekretar amerikan i Shtetit nën administratën e Presidentit të parë George Washington.

1829 - Tre fuqitë mbrojtëse (Britania, Franca dhe Rusia) përcaktojnë kufijtë e Greqisë.

1882 - Kongresi amerikan miraton Aktin Edmunds që ndalon poligaminë - 1300 burra u burgosën brenda pak kohësh në bazë të këtij akti.

1908 - Lindi Louis L' Amour, autori më i shitur amerikan. Pas vdekjes, më 10 qershor 1988, editori i tij në Bantam Books, Stuart S. Applebaum , tha se "zoti L' Amour, që nuk kishte pirë ndonjëherë duhan, vdiq nga kanceri i mushkërive" (NYT). Të gjithë 100 librat e Louis L' Amour - 86 romane dhe 14 koleksione tregimesh - janë në shtyp, dhe rreth gati 200 milionë kopje në qarkullim. Ish presidenti Jimmy Carter lexonte libra të L' Amourit kur udhëtonte me aeroplan, dhe Presidenti Ronald Reagan i lexonte ato ndërsa merrrte veten nga operacioni për heqjen e kancerit në vitin 1985 . ''Mendoj se jam industri" thoshte L' Amour një dekadë para se të vdiste. Ai ishte shkrimtari i parë i nderuar me medalje të artë të Kongresit.

1913 – Shqipëria londineze; Konferenca e Ambasadorëve të 6 Fuqive të Mëdha mbledhur në Londër përcakton arbitrarisht kufijtë veriorë dhe veri-lindorë të shtetit shqiptar; e gjithë treva fushore e Kosovës i shkëputet shtetit të ri dhe i jepet Serbisë, edhe pse shumica e banorëve ishin shqiptarë; fiset shqiptare Hoti dhe Gruda iu dorëzuan Malit të Zi, ndërkohë që qytetet e rëndësishme tradicionalisht shqiptare Pejë, Gjakovë, Prizren dhe Dibër i kalojnë Serbisë ose Malit të Zi. Si rezultat i këtij përcaktimi kufijsh, i njohur si Protokolli i Londrës, u krijua e ashtuquajtura Shqipëria londineze (sinonim për Shqipëri të cunguar, e lënë pa fusha pjellore, pa rajone të pasura në minerale dhe burime të tjera). Në atë kohë, shteti i ri shqiptar kishte 800 mijë banorë, ndërkohë që rreth 500 mijë të tjerë u lanë jashtë kufijve të tij.

1943 - Lufta e Dytë Botërore: e gjithë popullsia e Khatynit në Bjellorusi u dogj e gjallë nga forcat pushtuese gjermane.

1992 - Rënia e komunizmit në Shqipëri: Partia Demokratike fiton një shumicë vendimtare në zgjedhjet parlamentare – pas afër 48 vjetësh, komunistëve u mohohet pushteti absolut.

Mendim i ditës
"Një libër është më pak i rëndësishëm për atë që thotë sesa për atë që të bën të mendosh."
Louis L'Amour
XS
SM
MD
LG