Lidhje

Mjedisi në Tiranë dhe nisma për mbrojtjen e tij


Mjedisi i kryeqytetit shqiptar vazhdon të jetë i ndotur dhe problematik. Por grupe të rinjsh kanë kryer këtë dimër mbjellje të shumta për të gjelbëruar Tiranën dhe për të pastruar sadopak ajrin e saj. Ata janë mbështetur nga punonjësit e bashkisë, të shëndetësisë dhe të ushtrisë, për të realizuar nismën e tyre, e cila ka tërhequr vëmendjen e shumë të rinjve përmes rrjeteve sociale.
Grupe të rinjsh kanë kryer këtë dimër mbjellje të shumta për të gjelbëruar Tiranën
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:26 0:00

Një grup të rinjsh nga fakulteti i arkitekturës dhe urbanistikës në Universitetin e Tiranës iu bashkuan sot veprimtarëve të mjedisit të mirënjohur tashmë si lëvizja “Mbill pemën tënde”. Ata mbollën së bashku 100 fidanë pemësh përreth fakultetit të tyre dhe në lagjen pranë këtij blloku universitar, të njohur si pallatet Partizani.

21 marsi është shpallur nga OKB si Dita Ndërkombëtare e Pyjeve, pra, si një shtysë më shumë për ndergjegjësimin e qytetarëve mbi rendesine e pyjeve. Por lëvizja Mbill Pemën tënde ka mbi dy muaj që vazhvon të mbjellë fidanë pemësh në zona të ndryshme të kryeqytetit. Pasi ka mbjellë mbi një mijë fidanë të blerë privatisht nga qytetarët me afro 4 dollarë, ajo është tashmë lëvizja më jetëgjatë dhe frytdhënëse në dobi të mjedisit problematik të kryeqytetit, duke tërhequr pas vetes disa qindra prindër, fëmij dhe të rinj studentë.

Lëvizja qytetare “Mbill pemën tënde” është një veprimtari vullnetare, ku çdo njeri është afruar me dëshirë dhe ndihmesa sado modeste. Ftesa e këtyre të rinjve është e thjeshtë; njerëzit të bashkohen në një punë vullnetare që t'i shërbejnë qytetit nga ana e tyre personale, për të dhënë një mësim qytetarie, duke kthyer lagjen në një hapësirë të gjelbër, duke u kujdesur secili në distancë për pemën e vet. Në mbjelljet e sotme pranë fakultetit të arkitekturës dhe lagjes partizani studentëve shqiptarë iu bashkuan edhe disa të rinj italianë, që dhanë ndihmën e tyre për pastrimin e mjedisit të Tiranës.

“Jemi të kënaqur që u bëmë pjesë e kësaj përvoje në Shqipëri, e cila filloi dhe u zmadhua pak nga pak brenda Tiranës dhe më pas do të përhapet edhe në qytete të tjera. Dëshirojmë shumë që këto fidanë që ne mbollëm sot me studentët shqiptarë të rriten dhe të bëhen pemë të mëdha pas disa vitesh. Dëshirojmë që kjo nismë për të mbjellë pemë dhe për të gjelbëruar Tiranën të zgjerohet sa më shumë dhe të krijojë një histori të gjatë pozitive. Po mbjellim disa pemë në sheshet publike të Tiranës për të përmirësuar mjedisin dhe për të ndërgjegjësuar qytetarët mbi problemet e mjedisit. Kjo është një përvojë pozotive edhe për ne - thonë Eriko, Andrea dhe Marko, që kanë ardhur nga Italia, dhe që iu bashkuan nismës Mbill pemën tënde sapo dëgjuan për të.

Lëvizja “Mbill pemën tënde” nisi rastësisht në janar nga disa të rinj që menduan të bëjnë diçka për qytetin e tyre. Suksesi i tyre u shtua edhe nga përdorimi i rrjeteve sociale, ku njerëzit mësuan se me 4 dollarë mund të blinin dhe të mbillnin një pemë me emrin e tyre, me emrin e fëmijës dhe të afërmeve të tyre. Ata u mbështetën fort edhe nga bashkia, ushtria, mjekësia dhe nga qindra banorë që i përgëzojnë dhe i ndihmojnë kudo që i shohin. Për këtë vit janë edhe dy javë mbjellje në kryeqytet, ndërsa vitin tjetër ata pritet të shtrihen në të gjithë Shqipërinë.

XS
SM
MD
LG