Lidhje

Në prag të takimit të G7-ës mbi Rusinë


Udhëheqësit do të diskutojnë përgjigje të mundshme shtesë ndaj Rusisë për aneksimin e Krimesë

Udhëheqësit e shtatë vendeve më të zhvilluara do të diskutojnë për reagime të mëtejshme ndaj Rusisë për aneksimin e gadishullit ukrainas të Krimesë. Ata do të takohen këto ditë në Holandë, ku do të marrin pjesë në Takimin ndërkombëtar për Sigurinë Bërthamore. Presidenti amerikan Barak Obama ka thirrur për një diskutim në Hagë udhëheqësit e G7-ës, duke përjashtuar në mënyrë të hapur Rusinë, e cila është anëtare e grupit të G8-ës. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë imponuar tashmë disa sanksione udhëtimi dhe ekonomike kundër Rusisë, por analistët thonë se nuk ka gjasa që këto masa të ndryshojnë vendimin e Moskës për Krimenë.

Flamuj rusë valviten në ndërtesat zyrtare të Krimesë, bankat lokale kanë filluar të kalojnë nga monedha e Ukrainës tek rubla ruse dhe më 30 mars, Krimea ka planifikuar të nisë përdorimin e kohës standarde të Moskës, duke lëvizur orën dy orë përpara.
Ilan Berman, nënkryetar i Këshillit të Politikës së Jashtme Amerikane, në Uashington, thotë se nuk ka dyshim që pjesa më e madhe e popullsisë rusisht-folëse në gadishull i mbështet këto ndryshime.

"Nëse flasim realisht, demografia e Krimesë, por gjithashtu dhe politika e shfaqur në referendum – pavarësisht se pati padyshim një ndikim të rëndë rus – tregojnë se shumica e njerëzve e shohin veten si diçka më ndryshe se thjesht ukrainas."

Zoti Berman thotë se rusët në pjesë të tjera të rajonit mund të duan të ndjekin shembullin e Krimesë.

"Unë mendoj se sigurisht ka një mundësi të rrezikshme, që Krimeja të mos jetë fundi i historisë, por vetëm fillimi i saj. Tashmë kemi parë lëvizje në rajone si Transdniestre në Moldavi, ku ka zëra që ngjajnë me thirrjet në Krime përpara referendumit, të cilat shprehin simpati për Rusinë, dëshirë që Rusia të luajë një rol politik më aktiv, etj. Të gjitha këto mendoj se e inkurajojnë Moskën ndërsa ajo kërkon mundësi për të zgjeruar kufijtë e saj territorialë."

Zoti Berman vë në dukje se Rusia ka një prani ushtarake në rajonin e Moldavisë Transdniester, që shpalli pavarësinë në vitin 1990 dhe zhvilloi një luftë separatiste në vitin 1992. Trupat ruse hynë në rajon si forca paqeruajtëse pas luftës dhe nuk u larguan më që atëherë. Analisti Berman thotë se ka më pak të ngjarë që Moska të ndërmarrë veprime të tilla në shtete anëtare të NATO-s apo të Bashkimit Evropian. I vetëdijshëm për këtë, Presidenti i Moldavisë Nikolae Timofti u bëri thirrje këtë javë udhëheqësve të BE-së të shpejtojnë integrimin evropian të Moldavisë.

"Në kuadër të kësaj vështirësie rajonale në të cilën Republika e Moldavisë është përfshirë, kam rënë dakord me presidentin rumun Traian Basescu mbi nevojën për t'i dhënë shtysë procesit të integrimit të Moldavisë në Evropë."

Veprimet e Rusisë në Krime kanë shkaktuar valë shqetësimi edhe tek disa anëtarë të BE-së dhe NATO-s, ku kujtimet e pushtimeve sovjetike të Hungarisë dhe Çekosllovakisë janë ende të freskëta.
Udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Japonisë do të takohen të hënën në Hagë dhe të martën do të diskutojnë masa për të frenuar ambiciet e Moskës dhe për t’i dhënë siguri aleatëve në rajon.
Ish- ambasadori amerikan në Irak Kristofer Hill thotë se mënyra më e mirë për ta bërë këtë është të përshpejtohet integrimi Trans-Atlantik i Evropës Lindore dhe Ballkanit. Ai veçoi Maqedoninë, anëtarësimi në NATO i së cilës është bllokuar nga Greqia për një mosmarrëveshjen mbi emrin.

"Unë gjithmonë kam besuar se Maqedonia, e cila ka vepruar si një vend i NATO-s, duhet të pranohet si një vend i NATO-s."

Analisti Ilan Berman është dakord se NATO-ja duhet të shtojë anëtarët e saj në Europën Lindore. Por ai thotë se veprimet e ardhshme e Rusisë do të përcaktohen kryesisht nga fuqia e saj ekonomike. Ai thotë se Evropa, veçanërisht Gjermania, mund të kenë më shumë ndikim në ekonominë e Rusisë se sa Shtetet e Bashkuara.

"Nëse do të krijohet pengesë si pasojë e një vendimi të Gjermanisë për të mbajtur lidhjet ekonomike me Rusinë, atëherë sanksionet që vijnë nga Brukseli do të jenë më pak të fuqishme. Ato nuk do të jenë aq efektive sa mund të jenë dhe Rusia nuk do të zmbrapset shumë."

Marrja e gadishullit të Krimesë nga Rusia ka ndezur përballjen më të ashpër midis Moskës dhe Perëndimit që nga rënia e Perdes së Hekurt, duke ndërprerë më shumë se dy dekada bashkëpunimi diplomatik dhe ekonomik midis ish-kundërshtarëve të Luftës së Ftohtë.
XS
SM
MD
LG