Lidhje

Zgjerimi i NATO-s, një nga rrugët për përgjigje ndaj Rusisë


Brussels forum
Brussels forum

Një kongresmen amerikan propozon Plan Aksioni për Gjeorgjinë, zgjidhjen e mosmarrëveshjes Greqi-Maqedoni, Dejton 2 për Bosnjën dhe anëtarësim për Malin e Zi

Një anëtar i Kongresit amerikan thotë se përgjigjet ndaj aneksimit të Krimesë nga Rusia, duhet të përfshijnë përshpejtimin e hapave të afrimit me NATO-n për vende si Gjeorgjia, zgjidhjen e mosmarrëveshjes për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë, si edhe rishikimin e marrëveshjeve të Dejtonit për Bosnje-Hercegovinën. Michael Turner, anëtar republikan i Komisionit për Shërbimet e Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve foli në një konferencë në Bruksel, ku merrte pjesë edhe Komandanti Suprem i Forcave të NATO-s për Evropën, gjeneral Philip Breedlove i cili tha se ishte e qartë që Rusia i kishte planifikuar hapat që ndërmori në Krime.

Kongresmeni Turner paraqiti në Bruksel propozimin e tij për përgjigjen ndaj Rusisë.

“Mendoj se përgjigjia e duhur do të ishte t’i ofrohet Gjeorgjisë Plani i Aksionit për anëtarësim në NATO, përpjekje maksimale diplomatike për zgjidhjen e konfliktit mes Maqedonisë dhe Greqisë, të shqyrtohet mundësia e një Dejtoni të dytë për zgjidhjen e çështjeve kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe t’i ofrohet anëtarësimi Malit të Zi”.


Ligjvënësi amerikan tha se hapa të tillë do ta bënin botën të ndryshme nga ajo që dëshiron të shohë Presidenti rus Vladimir Putin.
Komandanti Suprem i forcave të NATO-s për Evropën, Philip Breedlove, tha se nuk kishte pothuajse asnjë dyshim se Rusia e kishte paramenduar ndërhyrjen në Krime prej disa kohësh.

“Unë besoj se pjesë e këtij plani ishte të krijohej një paqartësi strategjike. Rusia u përpoq t’i bënte zhvillimet në Krime të dukeshin si të brendshme, me milicitë lokale por në fakt ishte një numër i vogël vendasish sa për të krijuar iluzion dhe pas tyre kishte një numër masiv trupash me informa të gjelbra”, tha ai duke iu referuar trupave ruse me uniforma pa simbole.

Diskutimet u bënë në Forumin e Brukselit, një konferencë vjetore për marrëdhëniet transatlantike, organizuar nga Fondi Gjerman Marshall, ku marrin pjesë krerë shteti, zyrtarë të institucioneve të Bashkimit Evropian, zyrtarë amerikane, përfaqësues të Kongresit, parlamentarë dhe akademikë.
Në të njëjtin forum, kryeministri i Malit të Zi Milo Djukanovic rikonfirmoi angazhimin e vendit të tij ndaj integrimit në Bashkimin Evropian dhe NATO.
XS
SM
MD
LG