Lidhje

Histori: Çfarë ka ndodhur më 24 mars?

  • Astrit Lulushi

Robert Hamerling

Robert Hamerling

1830 - Në Austri lindi Robert Hamerling - në një familje të varfër - Shfaq gjenialitet për poezi që në moshë të herëshme; kjo zgjoi interesimin dhe admirimin e disa personave me ndikim; falë ndihmës së tyre, Hamerling ishte në gjendje për të ndjekur gjimnazin dhe më pas Universitetin e Vjenës. Vdiq më 1869 në Graz.
Luani dhe Trendafili, nga Robert Hamerling
(shqipërim)
Mbi trëndafilin e kuq
Luani me zemërim shkeli
Putra me gjemba iu mbush.
Nga gonxheja e brishtë
Luanit këmba iu enjt
Dhe mes vuajtjesh vdiq.
Lulja e kuqe u ringrit
Mjekuar nga vesa e mëngjesit.
E ashpër dhe delikate
Por e këndshme, e pastër,
Bukuria del gjithmonë në krye.
1882 - Shkencëtari gjerman Robert Koch (1843 – 1910) zbulon bacilin shkaktar të tuberkulozit (bacilo kok). Kok është i njohur për rolin e tij në identifikimin e agjentëve të veçantë që shkaktojnë sëmundjen e tuberkulozit, kolerës, dhe antraksit; ai krijoi dhe përmirësoi teknologjitë laboratorike në fushën e mikrobiologjisë. Kërkimet e tij çuan në krijimin e "postulateve të Kokut" ( katër parime bazë që lidhin mikrorganizma të veçanta me sëmundje të veçanta, dhe që mbeten edhe sot "standard i artë" në mikrobiologjinë mjekësore). Si rezultat i novatorizmit të tij mbi tuberkulozin, Robert Kok u nderua mei çmimin Nobel për Mjekësi në vitin 1905.
1883 – Realizohet thirrja e parë telefonike mes Nju Jorkut dhe Çikagos.
1887 – SHBA - Oscar Straus, bëhet ambasadori i parë hebre- amerikan në Turqi.
1898 - Shitet automobili i parë. Robert Allison nga Pennsylvania bleu një automobil Winton pasi kishte parë reklamën e kësaj makine në revistën Scientific American. Kompania Winton Motor shiti atë vit 22 automobilë.
1906 - Kryehet për herë të parë regjistrimi i popullsisë në perandorinë britanike - rezultatet treguan se Britania ishte sa 1/5 e botës.
1919 – Ne Bronxville, Nju Jork, lindi Lawrence Ferlinghetti poet amerikan, piktor, aktivist liberal, botues. Ai është i njohur për “A Coney Island of the Mind” (1958), përmbledhje me poezi, përkthyer në 9 gjuhë, me shitjen e mbi një milion kopjeve. Fragmente nga dy poezi të Lawrence Ferlinghettit
Poezi si kryengritje
(shqipërim)
“Në se do të jesh poet, krijo vepra të afta
për t’u përgjigjur sfidave të kohës apokaliptike,
Ti je Whitman, Poe, Mark Twain,
Emily Dickinson dhe Edna St Vincent Millay,
Neruda, Majakovski dhe Pasolini,
je amerikan apo jo-amerikan,
pushtuesit me fjalë mund t’i mposhtësh... "
2
Jam duke pritur
jam duke pritur rastin tim
për rilindjen e një çudie
për dikë që me të vërtetë të zbulojë Amerikën
dhe të bërtasë
për zbulimin
e një kufiri të ri simbolik perëndimor
për Shqiponjën amerikane
po pres
me të vërtetë të hapë krahët
dhe të fluturojë drejt
jam duke pritur
për Epokën e ankthit
që të bjerë e vdekur
jam duke pritur
për luftën të luftohet
për botën e sigurt
për anarki
për vyshkjen e
e të gjitha qeverive
jam gjithmonë në pritje të
për rilindjen e një çudie.
1924 - Greqia shpallet republikë – Pasi dështoi për të marrë Kostandinopojën, mbretit Kostandin u detyrua të heq dorë nga froni në favor të djalit të tij, George II. Vetë Mbreti George më vonë shkoi në mërgim në Rumani, ndërsa qeveria debatoi fatin e monarkisë. Në fund, pas një referendumi, Greqia u shpall republikë.
1944 - Në Romën e pushtuar, nazistët ekzekutojnë më shumë se 300 civilë.
1999 - Lufta në Kosovë: NATO fillon bombardimet ajrore kundër Jugosllavisë për të ndalur një valë të re spastrimi etnik të Kosovës - Për herë të parë që nga koha e krijimit (4 prill 1949), NATO sulmonte një vend sovran. Rrënjët e luftës në Kosovë lidheshin me ardhjen e Sllobodan Millosheviçit në pushtet në fund të viteve 1980, dhe me lojrat a përpjekjet diplomatike dhe kërcënimet ushtarake që dështuan për të zgjidhur konfliktin midis Jugosllavisë dhe shqiptarëve të Kosovës. Lufta ajrore e Natos me Serbinë dhe hapa të tjerë ushtarakë e diplomatikë më në fund çuan në fitoren e NATO-s në qershor të po atij viti (1999).
Mendim i ditës
“Të jesh i pasur dhe i nderuar në një shoqëri të padrejtë është turp."
Konfuci
XS
SM
MD
LG