Lidhje

Përpjekjet për ilaçe më të lira në Afrikë


Në Afrikën e Jugut, qeveria është gati të miratojë reforma mbi ligjet e pronës intelektuale – përfshi patentat e ilaçeve – që aktivistët e shëndetësisë thonë se mund të lejojnë më shumë afrikano-jugorë të kenë qasje ndaj medikamenteve më të lira.

Çdo ditë ka të njëjtin ritual për Funiwen. Për të trajtuar tuberkulozin, ajo merr një tabletë Linezolid, një ilaç me patentë, që kushton 63 dollarë për një dozë. Organizata Mjekët pa Kufi, një nga mbrojtësit e reformës së patentave në Afrikën e Jugut, ka paguar për ilaçet e saj për dy vjet.

Organizata argumenton se ilaçet janë shumë të shtrenjta në Afrikën e Jugut pasi ligjet lejojnë që kompanive farmaceutike t’u jepen shumë patenta dhe më pas ato e zgjasin afatin e skadimit të patentës, duke bllokuar kështu hedhjen në treg të ilaçeve më të lira.

"Ata i bëjnë një ndryshim shumë të vogël ilaçit, dhe pastaj marrin një patentë krejtësisht të re për të duke vazhduar kështu të bllokojnë konkurrencën edhe për 20 vjet të tjera."

Duke pasur monopol, kompanitë farmaceutike kanë prirjen për të mbajtur çmimet e larta, që të rikuperojnë kostot e zbulimit dhe prodhimit të ilaçit dhe për të rritur fitimet.

Sipas projekt-ligjit të propozuar për Reformën e Pronës Intelektuale, procesi për dhënien e patentave të reja për ilaçet ekzistuese do të jetë më i rreptë, duke çuar kështu në më pak zgjatje të patentave.

Por, avokati i pronësisë intelektuale Andre Van Der Merwe thotë se zbatimi i sistemit të ri do të jetë i vështirë.

"Për të shqyrtuar çdo aplikim të duhen ekipe ekspertësh që Afrika e Jugut nuk i ka dhe që do të jetë e vështirë t’i gjejë. Kur fillon shqyrtimin, procesi bëhet më i gjatë dhe më i kushtueshëm dhe dikush duhet t’i paguaj njerëzit që do ta bëjnë këtë punë.”

Drejtuesi i kompanisë Pharma Dynamics, Paul Anley, thotë se ilaçet e firmave të mëdha i kushtojnë shumë afrikano-jugorëve.

"Kostoja gjyqësore në përpjekjet për të revokuar një patentë shkon në disa miliona. Është një proces që mund të marrë deri në katër vjet dhe që vonon fillimin e prodhimit të ilaçeve më të lira dhe mohon qasje të produkteve të lira për popullsinë."

Disa javë më parë, dokumente të bëra publike tregojnë se disa kompani farmaceutike planifikojnë të bëjnë një fushatë të fshehtë për të lobuar kundër reformës.

Dalja e këtij informacioni shkaktoi trazira. Ministri i Afrikës së Jugut për Shëndetësinë Aaron Motsoaledi tha se plani është i "një magnitude satanike."

"Kur ka mekanizma klandestinë lobizmi, të cilët duan të shkatërrojnë procesin demokratik, ky fakt të zemëron. Ne jemi shtet sovran. Ne duhet të miratojmë ligje. Dhe në se këto ligje sfidohen, ato duhet të sfidohen hapur në arenën publike. "

Zoti Motsoaledi tha se reforma është e nevojshme në vendin e tij dhe në mbarë Afrikën – veçanërisht për pacientët me Sida që kanë nevojë për ilaçe anti-retrovirale.

"Nga 8 milion njerëz në botë që kanë nevojë për ilaçe anti-retrovirale, 6 milionë janë në Afrikën nën-Sahariane. Dhe 80 përqind e tyre varen nga ilaçet e lira të prodhuara në Indi. Në se nuk do të kishte ilaçe të tilla nga India, ne nuk do të ishim në gjendje këtu në Afrikë të trajtonim këtë numër njerëzish."

Reformat do të lejojnë gjithashtu qeverinë të anulojë patentat kur një medikament konsiderohet shumë i shtrenjtë. Por kjo mund të shkurarojë kompanitë që të investojnë në prodhimin e ilaçeve të reja për të shpëtuar jetë njerëzish.
XS
SM
MD
LG