Lidhje

Shfrytëzimi i dallgëve për energji


Një burim energjie të ripërtëritshme që shpesh nuk merret parasysh është fuqia e dallgëve të oqeanit. Shkencëtarët në Kaliforni thonë se energjia e përdorur nga lëvizja e rregullt e sasive të mëdha të ujit mund të sigurojë energji elektrike të lirë dhe ujë të pijshëm për komunitetet bregdetare.

Dallgët e palodhura përgjatë një vije bregdetare përfaqësojnë një rrjedhë të qëndrueshme energjie. Problemi është se dallgët ngrihen dhe ulen, lëvizje e cila është e vështirë të shndërrohet në një forcë që shkon në një drejtim, si lumi ose era e fuqishme.

Shkencëtarët në Universitetin e Kalifornisë në Berkeley projektuan një pajisje nënujore për të cilën ata thonë se jo vetëm që e zgjidh këtë problem, por ka përdorim të dyfishtë.

“Pajisja jonë ka avantazhinin se ne nuk e konvertojmë lëvizjen direkt në energji. Ne mund të vendosim vetë nëse duam të prodhojmë ujë të pastër ose energji.”

Mekanizmi i tyre që i ngjan një qilimi, i cili lëviz me dallgët, krijon presion hidraulik, duke e pompuar ujin drejt bregut.

Uji me presion mund të përdoret për të vënë në punë turbinat, duke prodhuar energji elektrike. Ose mund të kalojë në membrana të posaçme të cilat veçojnë kripën dhe krijojnë ujë të pastër.

Zoti Lehmann thotë se versione më të mëdha të qilimit-dallgë mund të fuqizojnë me energji komunitete të vogla bregdetare.

“Pra, në përgjithësi, burimet në dispozicion të energjisë së dallgëve mbulojnë rreth 15 për qind të kërkesës globale për energji, një shifër e konsiderueshme.”

Inxhinjeri mekanik Reza Alam thotë se për të shmangur ndikimin e mundshëm mbi ekosistemet bregdetare, qilimi-dallgë mund të vendoset në të ashtuquajturat “zona të vdekura” ku nuk ka oksigjen të mjaftueshëm për zhvillimin e krijesave detare.
“Vendosja e qilimit në shtratin e detit në ato vende është padyshim e sigurt për mjedisin.”

Zoti Alam thotë se vetëm një metër katror qilim-dallgë mund të prodhojë energji të mjaftueshme për dy shtëpi tipike amerikane, gjë që do të thotë se oqeani mund të prodhojë energji për qytete të tëra bregdetare me çmim të ulët.

XS
SM
MD
LG