Lidhje

SHBA: Numër rekord i përdoruesve të transportit publik


Një numër rekord amerikanësh po vendosen në qytete dhe njëkohësisht po ndryshojnë prirjet e tyre të udhëtimit. Një nga shembujt më të mirë është qyteti i Nju Jorkut.

3,4 miliardë vetë në Nju Jork përdorin metronë dhe autobusin në vit. Ky numër është sa një e treta e të gjitha udhëtimeve brenda qyteteve në Shtetet e Bashkuara. Transporti publik është në nivelin më të lartë në afro 60 vjet në pothuajse çdo qytet amerikan.

Një organizatë për të drejtat e udhëtarëve “Straphangers Campaign” ia atribuon këtë të rinjve amerikanë, thotë Gene Russianoff.

“Të rinjtë, sidomos ata që kanë lindur nga fundi i shekullit të kaluar, i përdorin shumë më pak makinat. Ata janë mësuar në qytete. Atyre u pëlqen të mos kenë makina, të mos kenë shumë përgjegjësi dhe ata janë të shumtë”.

Përveç të rinjve, shumë njerëz besojnë se transporti publik është më pak i kushtueshëm dhe nuk dëmton ambjentin. Në vitin 2012 në gjithë Amerikën, banorët kryen 10.7 miliardë udhëtime.

Richard Rudolph është kryetar i Rrjetit të Udhëtarëve të Metrosë.

"Kur flitet për rritjen e çmimeve të sigurimeve, apo të automjeteve, atëherë njerëzit mendojnë se pse të mos përfitojnë nga transporti publik. Sigurisht që ka më shumë kuptim që njerëzit të përdorin autobuzët dhe metronë”.

Nju Jorku ka ndërmarrë disa projekte, meqenëse kërkesa e pasagjerëve kërkon disa zgjerime. Një linjë e re metroje me kosto 4.5 miliardë dollarë, do të lehtësojë ngarkesën me pasagjerë për linjat e reja të metrosë. Faza e parë është planifikuar për vitin 2016.

Ata që punojnë në distriktin financiar të Nju Jorkut së shpejti do të kenë mundësi të përdorin një qendër të re tranziti metroje. Pothuajse të gjitha linjat gërshetohen në pjesën e poshtme të Manhatenit dhe kjo qendër e re do t’ua bëjë më të lehtë udhëtarëve që të qarkullojnë në qytet dhe në shtetin e Nju Xhersit.

Dhe ndoshta projekti më i debatuëshëm dhe më i shtrenjtë është një tunel 7 miliardë dollarësh nga Long Island në Stacionin Qendror të Trenit në Manhatan. Trenat nga atje do të mund të qarkullojnë në distriktin e biznesit në pjesën qendrore të Nju Jorkut.

Andrew Albert, një anëtar i bordit të Agjencisë Metropolitane të Transportit thotë se ka shumë arsye të tjera që publiku po përdor transportin publik.

“Sistemi është përmirësuar. Kemi vagonë të rinj. Kemi orë elektronike që tregojnë se kur vjen treni tjetër. Kemi ambjente të reja”.

Sistemi i transportit publik të Nju Jorkut që funksionon shtatë ditë në javë, nga 24 orë në ditë, kushton 1.5 miliardë dollar në vit për t’u mirëmbajtur. Është një nga sistemet më të vjetra të botës, me linjën e parë të metrosë ë hapur në vitin 1904.
XS
SM
MD
LG