Lidhje

Histori: Çfarë ka ndodhur më 2 prill?

  • Astrit Lulushi

Fall of Costantinople

Fall of Costantinople

1453 - Sulltani osman Mehmed II fillon rrethimin e Konstandinopojës dhe e pushton atë në 29 maj. Marrja e Konstandinopojës (dhe dy territoreve të tjera bizantine të shkëputura shpejt pas kësaj) shënoi fundin e Perandorisë Romake, shtet perandorak që kishte zgjatur për gati 1500 vjet. Pushtimi osman i Konstandinopojës gjithashtu i dha një goditje masive krishtërimit; ushtritë osmane pas kësaj ishin të lira për të përparuar në Evropë, ndërsa Gjergj Kastrioti - Skenderbeu, do të mbetej penguesi i vetëm i tyre drejt Italisë dhe Evropës perëndimore. Pas pushtimit të kryeqytetit bizantin, Sulltan Mehmeti e transferoi kryeqytetin e Perandorisë Osmane nga Adrianopoja (Edirne) për në Konstandinopojë (Stamboll). Shumë intelektualë u larguan nga qyteti para dhe pas rrethimit; shumica e tyre emigroi kryesisht në Itali, ku ndihmuan për rilindjen italiane. Pushtimi i qytetit të Konstandinopojës, për disa historianë, shënoi edhe fundin e periudhës së Mesjetës.

1513 - Zbulohet Florida nga Ponce de Leon. Juan Ponce de Leon (1474 - 1521) ishte eksplorues dhe kolonizator spanjoll. Ai u bë guvernatori i parë i Porto Rikos, dhe udhëhoqi ekspeditën në Florida, të cilës i vuri edhe emrin. De Leon lidhet me legjendën e Burimit të Rinisë, që është menduar të jetë në Florida (duke pirë nga ky burim njeriu nuk plaket kurrë dhe plaku bëhet i ri). Sipas gojëdhënës, Ponce de Leon e zbuloi Floridën ndërsa ishte në kërkim të këtij burimi; shumica e historianëve thonë se kërkimi për ar dhe për zgjerimin e Perandorisë spanjolle ishte qëllimi i tij. Mendohet se Burimi i Rinisë ishte alegori për vreshtat e rrushit a verën dhe Ponce de Leon mund të ishte në kërkim të një munndësie për biznes. Historianë besojnë se pija e kafesë në Porto Riko mund ta ketë frymëzuar de Leonin për kërkimin e Burimit të Rinisë.Të tjerë spekullojnë se de Leon keqkuptoi fjalën vendase "vid" (hardhi ) për "vida" (jetë), dhe mendoi se bëhej fjalë "burimin e jetës". Në kujtimet e tij, de Leon shkruan se ai shkoi në kërkim për Burimin e Rinisë, sepse një grua e moshuar i kishte thënë se djali dhe burri i saj, mes shumë të tjerëve, kishin shkuar në një vend me emrin Bimini (në Bahamas) për të gjetur këtë burim. Nën ujrat e Biminit disa gjeografë sot besojnë se ndodhet i fundosur ishulli legjendar Atlantis.

1550 - Hebrenjtë dëbohen nga Genoa, Itali. Vetëm pas periudhës së unifikimit të Italisë (1860-1870), gjatë së cilës hebrenjtë morrën pjesë aktive në kauzën e lirisë italiane, atyre iu dhanë të drejta të plota civile dhe politike në Itali.

1725 - Në Venedik, lindi Giacomo Casanova, shkrimtar italian, aventurier, feminist i famshëm. Autobiografia e tij, Histoire de ma vie, konsiderohet si një nga burimet më autentike të zakoneve dhe normave të jetës shoqërore europiane gjatë shekullit të 18-të. Kazanova ishte aq i njohur për aventura dashurie sa emri i tij edhe sot është sinonim i "feministit" (njeri i dhënë shumë pas femrave, si një i alkoolizuar pas rakisë). Kazanova kishte lidhje me familje mbretërore evropiane, papë e kardinalë, dhe shoqëri të ngushtë me njerëz të shquar si Volter, Gëte dhe Mozart. Xhakomo Kazanova vdiq më 4 qershor 1798 në Bohemi (Republika Çeke).

1902 - "Teatri Elektrik"; kinemaja e parë në Shtetet e Bashkuara, hapet në Los Angeles, Kaliforni.

1912 - Anija Titanik i nënshtrohet provës në det për shpejtësi, manovrim, dhe ndalesë emergjente. Pas 8 orësh, çdo gjë shkoi mire, dhe anija niset për Southampton, Angli; më 10 prill furnizohet me ushqime, plotësohet me ekuipazh dhe pret pasagjerët e parë në bord. Në mesditë, anija më e madhe dhe më e re në botë niset për udhëtim; ndalon në Cherbourg, Francë për dy orë, dhe në orën 20:00, drejtohet për në Queenstown, Irlandë. Pronari i Titanikut, bankieri amerikan J. P. Morgan kishte planifikuar për të udhëtuar në lundrim e parë, por ndryshoi mendje në minutën e fundit. Numri i saktë i njerëzve në bord nuk dihet. Më 11 prill 1912, në orën 13:30, Titaniku lë Queenstown dhe niset nëpër Atlantik dret Nju Jorkut. Vetëm pas katër ditësh, më 15 prill, anija gjigande do të përplasej me një aisbërg dhe do të fundosej. Rreth 1 mijë e 500 vetë humbën jetën, 710 të tjerë mbijetuan fatkeqësinë dhe u përcollën nga anijia Carpathia në Nju Jork, ku 40 mijë njerëz prisnin mes motit me shi dhe lotëve.

1921 - Prof. Albert Einstein paraqet në Nju York Teorinë e tij të re të Relativitetit. Ai dha disa leksione në Universitetet Kolumbia dhe Princeton. Në Uashington, i shoqëruar nga përfaqësues të Akademisë Kombëtare të Shkencave, Einstein bëri një vizitë në Shtëpinë e Bardhë. Në kthimin e tij në Evropë ai ndaloi në Londër, ku u takua me disa figura të njohura shkencore, intelektuale dhe politike, dhe mbajti një leksion në King College.

1951 – Me Stalinin: Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu takohen në Moskë me Josif Stalinin për t’i raportuar mbi gjendjen në Shqipëri; mbi spastrimin e vendit nga “njerëzit që e kishin mbushur kupën”; për t’u ankuar ndaj udhëheqësive të vendeve fqinje; dhe mbi vendimin e Gjykatës së Hagës kundër Shqipërisë lidhur me incidentin e kanalit të Korfuzit. Ky do të ishte takimi i pestë dhe i fundit i Hoxhës me Stalinin. Gjatë kësaj vizite, Hoxha, Shehu, shoqëruar nga Omer Nishani (kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor), qëndruan në BRSS edhe për disa javë për këshillime nga udhëheqës të lartë si Molotov, Malenkov, Beria, Lavrenti e Bulganin.

2005 – Vdiq Papa Gjon Pali II. Më shumë se 3 milionë njerëz i dhanë atij lamtumirën e fundit në bazilikën e Shën Pjetrit, para funeralit më 8 prill. Më 30 shtator, 2013, Papa Françesku shpalli se shenjtërimi i Papa Gjon Palit II do të bëhet më 27 prill 2014. Njoftimi erdhi pasi Vatikani zbuloi se dy mrekullitë e nevojëshme për shenjtërim i atribuohen Papa Gjon Palit:
1) Shërimi i murgeshës Marie Simon nga lutjet e papës - ajo vuante nga parkinsoni, sëmundje prej së cilës papa Gjon Pali vdiq.
2) Një grua 50 - vjeçare u shërua nga një aneurizmi i trurit pasi, sipas saj, një fotografi e Papa Gjon Palit filloi të fliste me të.

Mendim i ditës
"Ne vetë jemi autorët e pothuajse të gjitha problemeve dhe brengave tona, për të cilat në mënyrë të paarsyeshme ankohemi."
Giacomo Casanova
XS
SM
MD
LG