Lidhje

Histori: Çfarë ka ndodhur më 4 prill?

  • Astrit Lulushi

Alex Komneni

Alex Komneni

1081 - Aleks I Komnenus bëhet perandor bizantin. Ai arriti të restaurojë perandorinë. Ankesat e tij (shpesh të pajustifikueshme) se kufijtë lindorë kërcënoheshin nga turq e selxhukë mylsimanë nxitën fillimin e kryqëzatave të krishtere nga ana e Evropës Perëndimore. Bija e Comnenus, Anna shkroi poemën epike Aleksiada kur përshkruan betejat e atit të saj kundër normanëve në rajonin që më pas do të merrte emrin Ballkan. Për historianët, Aleksiada ka rëndësi studimore pasi në të, Anna përmend emra fisesh dhe vendesh që historianët i shohin si dëshmi për vazhdimësinë e pandërprerë shqiptare në këto troje.

1147 - Emri i Moskës gjendet i shkruar për herë të parë, në një dokument ku Yuri Dolgorukiy e fton princin e Novgorodit për të ardhur në Moskë. Në vitin 1237-1238, mongolët e dogjën Moskën dhe vranë banorët e saj. Pas kësaj, Moska u bë kryeqytet i principatës së pavarur Vladimir - Suzdal, dhe për shumë vite filloi të tërheqë një numër të madh të refugjatësh nga e gjithë Rusia.

1581 - Francis Drake merr titullim e 'Kalorësit' nga Mbretëresha Elizabeth për përfundimin e një udhëtimi rreth botës me anije. Drake ishte i dyti në komandë i flotës angleze kundër Armadas spanjolle në 1588. Ai vdiq nga ethet në janar 1596 pas një sulmi pa sukses kundër qytetit San Juan, Puerto Rico, dhe u varros në det pranë brigjeve të Panamasë. Bëmat e Drejkut janë legjendare. Për kapjen e tij gjallë a vdekur, mbreti spanjoll Filipi II ofroi një shpërblim prej 20.000 dukatesh (6.5 milionë dollarë me vlerën e sotme).

1655 - Shtatorja e quajtur Foshnja e Pragës kurorëzohet solemnisht me urdhërin e kardinalit Harrach. Kjo është një statujë prej druri e veshur me dyll dhe tregon Jezusin fëmijë. Sipas legjendave, statuja dikur i përkiste Shën Terezës së Avilas dhe thuhet se ka fuqi mrekullie, veçanërisht për gratë shtatzëna. Origjina e statujës nuk dihet. Por burimet historike tregojnë për një statujë të ngjashme 48 cm e lartë që ndodhet aktualisht në manastirin Cistercian të Santa Maria de la Valbona në Asturias, Spanjë, e gdhendur rreth vitit 1340 nga një artist i panjohur.

1721 - Robert Walpole bëhet i pari kryeministër i Britanisë nën Mbretin George I. Deri atëherë, Mbretëria e Bashkuar nuk kishte patur kryeministër në organikë.

1796 - Georges Kuvie mbajti leksionin e tij të parë paleontologjik në Muzeun Kombëtar të Historisë së Natyrës në Paris, duke folur mbi fosilet e elefantëve dhe llojeve të ngjashme; me këtë, Kuvie u bë themelues i shkencës së paleontologjisë, e cila shtrihet në kufirin ndërmjet biologjisë dhe gjeologjisë, por ndryshon nga arkeologjia.

1812 - Presidenti i SHBA-së James Madison miraton një embargo 3-muajshe tregtare ndaj Britanisë.

1814 - Napoleoni heq dorë për herë të parë nga froni dhe ia kalon atë birit të tij, Napoleoni II.

1818 - Kongresi i Shteteve të Bashkuara miraton flamurin kombëtar me 13 vija të kuqe dhe të bardha dhe 20 yje - një yll për çdo shtet. Shtetet e Bashkuara atëherë përbëheshin nga 20 shtete.

1841 - William Henry Harrison vdes nga pneumonia duke u bërë presidenti i parë i Shteteve i Bashkuara që vdes në detyrë dhe me afat më të shkurtër në presidencë (vetëm 31 ditë).

1850 - Los Anxheles në Kaliforni, deri atëhere një zonë grumbullimi dhe tranziti për bagëtit, shpallet qytet - një muaj më vonë, Kalifornia bëhet shtet i SHBA-së

1926 - Diktatori grek Theodorus Pangalos zgjidhet president. Pangalos lindi në ishullin e Salaminës. Nëna e tij ishte pasardhëse e luftëtarëve të shquar arvanitas të Revolucionit grek. Pangalos u diplomua i pari në klasën e tij nga Akademia ushtrake në vitin 1900 dhe vazhdoi studimet në Paris, Francë. Më 24 qershor 1925, oficerët besnikë të tij, duke parë se paqëndrueshmëria politike po e vinte vendin në rrezik, rrëzuan qeverinë e Pavlo "Pal" Kountouriotis me grusht shtet. Pangalo e shpalli veten diktator dhe president, dhe menjëherë filloi të ndjekë penalisht të gjithë ata që mund të sfidomim autoritetin e tij. Liria e shtypit u hoq, dhe një numër ligjesh të rrepta u miratuan (duke përfshirë një ligj që diktonte gjatësinë e funde të grave nën-gju - jo më shumë se 30 cm mbi tokë). Pangalos kaloi në ekstrem. Së shpejti, shumë nga oficerët që e kishin ndihmuar të vinte në pushtet vendosën se ai duhej të hiqej; më 24 gusht 1926, një kundër - grusht shtet e hoqi nga froni, dhe Pavlos Kountouriotis u rikthye si president.

1932 - Profesor C.G. King i Universitetit të Pitsburgut, Pensilvani, veçoi Vitaminën C, pas pesë vitesh kërkimi në laborator. Këshilla e tij e parë ishte; merrni një limon, shtrydheni, lëngun e tij pijeni, dhe shpejt do të ndjeheni më mirë.

1949 - Washington DC; Dymbëdhjetë vende evropiane nënshkruajnë Traktatin e Atlantikut të Veriut duke krijuar NATOn.

1968 - Martin Luther King, Jr vritet nga James Earl Ray në një motel në Memphis të shtetit Tennessee. Një ditë më parë King kishte mbajtur fjalimin e tij ku tha se kishte parë ëndërr sikur ishte ngjitur në majën e një mali të lartë dhe prej andej pa tokën e premtuar.

1973 - Përurohet zyrtarisht Qendra Botërore e Tregtisë në Nju Jork - që u shkatërrua nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001.

1975 – Themelohet firma Microsoft nga Bill Gates dhe Paul Allen në Albuquerque, New Meksiko.

2012 - Nobelisti gjerman për letërsi Gunter Grass boton poezinë e debatueshme ku thotë se Izraeli, i vetmi vend në Lindjen e Mesme i pajisur me armë bërthamore, po komploton për të zhdukur Iranin nëse iranianët zhvillojnë një teknologji të tillë. Për këtë poezi, Gunter Grassit i mohohet vizita e hyrjes në Izrael; dhe poeti e quajti masën e ndalimit të ngjashme me veprimet e dikurshme të sigurimit komunist gjermano-lindor Stasi.

What Must Be Said, nga Gunter Grass
(shqipërim)

"Ajo që duhet të thuhet "

Pse kam heshtur deri tani,
rreth asaj që është praktikuar
në lojëra lufte ku ne, të mbijetuarit,
jemi fusnota?

Gjoja e drejta për një sulm të parë -
kundër një populli të nënshtruar,
detyruar në bindje,
në sfilata orkestruar nga friksues,
dhe tani, nën ndikimin e tyre,
dyshon për ndërtimin e armëve bërthamore -
popullin iranian kërcënon me shfarosje.
...
Heshtja ime është pjesë e asaj që tani dihet
se është heshtja e madhe, gënjeshtër e kufizuar
ndikuar nga rreziku i njohur
se mund të fajësohem për anti-semitizëm.
....
Por pse kam heshtur deri tani?
Për shkak të përkatësisë time,
dhe turpit të pashlyeshëm -
i cili, duhet
fatin tim ta lidhë me Izraelin.
Më vinte turp ta deklaroja këtë fakt.
...
Pse duhet të them, ndërsa i moshuar,
arritur në pikën e fundit të bojës:
"Aftësia bërthamore izraelite
është kërcënim për këtë botë
me paqe tashmë të brishtë?"
Sepse kjo duhet të thuhet;
nesër mund të jetë vonë.
Ne gjermanët, me fajin e vjetër mbi supe,
mund të bëhemi bashkëfajtorë në një krim
që mund të parashikohet
dhe justifikimet e zakonshme
nuk do të mjaftojnë.

Tani unë po flas
sepse jam i lodhur nga hipokrizia e Perëndimit,
dhe sepse dëshiroj
të çlirojë shumë të tjerë nga heshtja.
Kërkoj prej atyre që kanë krijuar këtë rrezik
të heqin dorë nga dhuna, dhe të këmbëngulin
papushim, për kontrollin e përhershëm
të aftësive bërthamore izraelite
dhe për programin bërthamor iranian
nga një agjenci ndërkombëtare
me pranimin e të dy qeverive.

Për izraelitët dhe palestinezët,
dhe të gjithë njerëzit, përfshirë veten,
që jetojnë si armiq, në territore
të zëna me mashtrime;
Kjo është e vetmja ndihmë.

Mendim i ditës

"Puna e një qytetari është të mbajë gojën hapur, të ngrejë zërin, të flasë"

Gunter Grass

XS
SM
MD
LG