Lidhje

Histori: Çfarë ka ndodhur më 6 prill?

  • Astrit Lulushi

Cave Hira

Cave Hira

610 - Kurani zbret në Tokë, sipas besimit mysliman: Muhamedi - 40 vjeçar - ndodhej në mal në Shpellën Hira (3 km nga Meka), duke agjëruar, lutur, medituar, vetëm, në heshtje, mbështjellë me mantelin e tij, në errësirën e natës, kur papritur dëgjoi një zë - "Lexo!" - "Nuk di të lexoj!" u përgjigj Muhamedi - "Lexo!" - përsëriti zëri - "Në emër të Zotit, i cili ka krijuar çdo gjë, që krijoi njeriun prej gjakut të gjakut, Lexo! Në emër të më të Lartit, i cili mësoi njeriun të përdorë penën; që derdh mbi shpirtin e tij rreze dijesh dhe mëson atë që më parë ishte i paditur” - Kur Muhamedi mbaroi së lexuari zbulesën e zbritur nga Qielli, zëri shpalli: "Oh, Muhamed, vërtetoj se ti je Profeti i vërtetë i Perëndisë dhe unë jam engjëlli i tij, Xhebrail!"

1327 - Poeti italian Françesko Petrarka pa për herë të parë Laura de Noves, dhe ra në dashuri me shikim të parë. Nga ky rast, poeti u frymëzua dhe shkroi një numër sonetesh:

Sonet, nga Petrarka
(shqipërim)

Ishte dita kur rrezja e diellit u zbeh
për vuajtjet e krijuesit keqardhje ndjeu
unë nga sytë e tu u kapa, u lidha
dhe nuk kundërshtova.
Të mbrohesha s'kisha kohë
Dashuria më goditi; veten e lëshova
pafrikë - të gjitha fatkeqësitë
filluan mes trishtimit të pritur.
Dashuria më çarmatosi, rrugën gjeti
për në zemrën time përmes syve
që u bënë depo lotësh e dyer.
Dashuria, padrejtësisht, pak mëshirë pati
kur me shigjetë më plagosi; por për ty,
që ishe e armatosur, harkun s’e përdori.


1613 – Në Dubrovnik (Raguzë) lindi Stjepan Gradiç, filozof dhe shkencëtar kroat (v. 1683 ). Gradiç ishte dijetar. Ai përktheu autorë klasike, u angazhua në matematikë, fizikë, astronomi, letërsi dhe diplomaci; shkroi edhe një poemë rreth tërmetit që shkatërroi Dubrovnikun më 6 prill 1667; poema e shkruar latinisht u bë nxitëse për ndihmën e organizuar nga e gjithë Evropa për qytetin e shkatërruar.

1722 - Pjetri i Madh i Rusisë heq taksën e mjekrës, pas rreth 25 vjetësh. Të ardhurat nga kjo taksë përdoreshin për modernizimin e shoqërisë ruse sipas modelit evropian.

1868 - Brigam Young (Jang) martohet me gruan e tij të 27-të dhe të fundit. Young (1801 - 1877) njihet si themelues i qytetit Salt Lake; ishte guvernatori i parë i Territorit Utah; themelues i Universiteteve Utah dhe Brigam Young. Ai kishte shumë pseudonime; më i popullarizuar ishte "Moisiu Amerikan" ose "Moisiu Modern" apo " Moisiu Mormon”, sepse, ashtu si figura biblike, Young udhëhoqi pasuesit e tij, Mormonët e parë, në një eksod përmes shkretëtirës, drejt tokës së premtuar, Utah.

1896 - Lojrat e para moderne Olimpike u hapë në Athinë, Greqi. Lojrat tërheqën atletë nga 14 vende; ekipet më të mëdha që ishin nga Greqia Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe. Më 6 prill 1896, amerikani James Connolly fitoi garëshin e kërcimit të trefishtë të bëhet kampioni i pare olimpik në më shumë se 1500 vjet.

1911 - Gjatë Kryengritjes së Malësisë së Madhe kunder pushtimit osman, luftëtarët e Hotit marrin majën e Bratilës afer Deçiqit dhe vendosin Flamurin Shqiptar kuq e zi. Ngritja e Flamurit ishte edhe treguesi më i qartë se qëllimi i Kryengritjes së Malësisë të vitit 1911 ishte luftë për liri, komb dhe shtet shqiptar. Për këtë ishin përbetuar prijësit e 7 bajraqeve të Malësisë, Hot, Grudë, Kastrat, Kelmend, Shkrel, Triesh, Kojë por edhe fiset tjera jashtë Malësisë së Madhe.(malesia.org)

1917 - SHBA i shpall luftë Gjermanisë, duke hyrë në Luftën e Parë Botërore.

1981 - Qeveria jugosllave dërgon trupa në Kosovë për të shtypur protestat e studentëve shqiptarë kundër kushteve të këqija të jetesës dhe që u shndërruan në demonstrata masive me thirrjet “Kosova Republikë!”

1991 - Ylli argjentinas i futbollit Diego Maradona pezullohet për 15 muaj nga Liga italiane për testim pozitiv për përdorim të kokainës

1992 - Trupat serbe fillojnë rrethimin e Sarajevës, që zgjati deri më 29 shkurt 1996 (1.425 ditë); tre herë më shumë se rrethimi i Stalingradit dhe një vit më shumë se rrethimi i Leningradit nga nazistët gjatë luftës së dytë botërore.

1994 -Gjenocidi në Ruandë fillon kur avioni me presidentin ruandez Juvenal Habyarimana dhe presidentin e Burundit, Cyprien Ntaryamira rrëzohet si pasojë e të shtënave nga toka.

Mendim i ditës

"Lutu sikur çdo gjë varej nga Zoti dhe puno sikur çdo gjë varet nga ty”.

Brigam Young
XS
SM
MD
LG