Lidhje

Që nga futja në përdorim në vitin 1980, makinat e imazheve me rezonancë magnetike, të njohura zakonisht me termin skaner MRI, u bënë një mjet shumë i vlefshëm i mjekësisë diagnostike. Hulumtuesit në Kaliforni tani thonë se kanë krijuar një metodë të re që u mundëson atyre për të parë në skaner imazhet në lëvizje të nyjeve në trupin e njeriut.

Skanerat MRI e ekspozojnë trupin e pacientit ndaj një fushe shumë të fortë magnetike e cila nxit atomet e hidrogjenit në indet e trupit.

Indet e ndryshme lëshojnë frekuenca të ndryshme elektromagnetike, të cilat një kompjuter i kthen në imazhe. Që imazhi të jetë sa më i qartë, pacienti duhet të qëndrojë pa lëvizur.

Studjuesit në Universitetin e Kalifornisë, Davis kanë krijuar një procedurë për të përftuar imazhe të lëvizshme të pjesëve të trupit - si nyjet.

Profesor Robert Boutin, i cili kryeson ekipin studimor, thotë se procedura e quajtur 'MRI aktive', kap një numër të madh imazhesh për sekondë. Këto imazhe, thotë ai, do të ndihmojë mjekët të analizojnë lëvizjen e nyjeve të pacientit para dhe pas operacionit.

"Ajo që ka rëndësi është se ne mund ta personalizojmë analizën, pra të trajtojmë atë që shkakton simptomat tek pacianti, në vend që të bëjmë të njëjtën gjë për të gjithë."

Kur pacienti lëviz kyçin e dorës, njëra nga nyjet më të komplikuara në trupin e njeriut, imazhi tregon qartë ndërveprimin e të gjithë pjesëve të kyçit.

Kirurgu ortoped Robert Szabo thotë se procedura e re e ka ndihmuar atë të gjejë shkaqet e problemeve tek pacientët e tij.

"Ne mund të kuptojmë tani se përse një pacient ka një kyç dore delikat, pse një tjetër ka dhimbje dhe çfarë mund të bëjmë për ta zëvendësuar kyçin e tij. Në këtë mënyrë ne mund të bëjmë korrigjimet e indeve të buta për të përmirësuar jetën e pacientëve."

Dr. Boutin thotë se metoda e re do të ndihmojë mjekët të kuptojnë më mirë të gjitha pjesët e tjera të lëvizshme të trupit:

"Mendoj se ajo mund dhe ndoshta duhet të përdoret për çdo nyje tjetër të trupit, madje edhe për muskujt dhe ligamentet. Ne jemi të bërë për të lëvizur dhe unë mendoj se imazhet duhet ta pasqyrojnë këtë."

Mjekët thonë se presin përmirësime të mëtejshme në teknologjinë e re që mund të ndihmojnë për të bërë proteza më të mira për plagosurit.
XS
SM
MD
LG