Lidhje

Ukrainë, vazhdojnë përplasjet me pro-rusët në pjesën lindore


Ministri i Brendshëm i Ukrainës paralajmëroi se konfrontimi me demonstruesit prorusë në tre rajonet lindore duhet të zgjidhet në 48 orët e ardhshme, qoftë nëpërmjet negociatave ose me forcë.

Ministri Arsen Avakov u tha sot gazetarëve se një "zgjidhje politike" është ende e mundur. Por ai deklaroi se protestuesit që kërkojnë konflikt "do të marrin një përgjigje të fuqishme nga autoritetet ukrainase."

Grupe pro - Moskës kanë pushtuar disa ndërtesa qeveritare në Ukrainën lindore dhe kanë kërkuar një referendum për bashkim me Rusinë, duke çuar në një shkallëzim dramatik të protestave kundër qeverisë së përkohshme pro-perëndimore të vendit.

Autoritetet thonë se dje në Kharkiv pati të shtëna dhe së paku 60 protestues u arrestuan, ndërsa në Donetsk demonstruesit vazhdonin të mbanin të pushtuara zyrat qeveritare që nga e diela.

Në Luhansk, autoritetet ukrainase thonë se më shumë se 50 njerëz janë lejuar të largohen sot në mëngjes nga selia e sigurimit shtetëror, ku pro-rusët thuhet se mbajnë 60 pengje. Zyrtarët thonë se protestuesit kanë vendosur lëndë shpërthyese në ndërtesë.

Dje para një komisioni të senatit, Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry akuzoi agjentët dhe forcat speciale ruse se po nxisin trazira separatiste në Ukrainën lindore. Ai i quajti veprimet ruse "një pretekst për ndërhyrje ushtarake, ashtu siç u pa në Krime."

Zoti Kerry tha se përfshirja e Moskës në Ukrainë "është mëse e qartë."

"Është e qartë se forcat speciale dhe agjentët rusë kanë qenë katalizatorë prapa kaosit në 24 orët e fundit. Disa madje janë arrestuar dhe zbuluar si të tillë. Po aq i qartë duhet të jetë edhe realiteti se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë nuk do të hezitojnë të përdorin mjete të shekullit të 21 për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për një sjellje të shekullit të 19," tha Sekretari Kerry.

Zoti Kerry tha se Presidenti Barak Obama është duke përgatitur sanksione më të ashpra kundër Rusisë nëse ajo vazhdon të destabilizojë Ukrainën.

Përqëndrimi i trupave përgjatë kufirit të Rusisë me Ukrainën ka ngjallur shqetësime se Moska mund të ndërhyjë dhe të marrë disa pjesë të Ukrainës lindore, pas aneksimit prej saj muajin e kaluar të gadishullit të Krimesë me popullatë kryesisht rusishtfolëse.

Ministria e jashtme e Rusisë tha sot se Moska nuk është duke kryer ndonjë aktivitet të pazakontë "ose të paplanifikuar me rëndësi ushtarake në afërsi të kufirit me Ukrainën."
XS
SM
MD
LG