Lidhje

Ukraina ofron amnisti për demonstruesit pro-rusë


Presidenti në detyrë i Ukrainës, Oleksandr Turchynov po premton amnisti për demonstruesit pro-Rusë, nëse ata heqin dorë nga armët dhe largohen nga godinat qeveritare nën rrethim në dy qytete lindore. Njoftimi i zotit Torchynov vjen një ditë para një afati që ka vendosur Ukraina për tërheqjen e demonstruesve përmes negociatave ose përmes forcës, në Luhansk dhe Donetsk pranë kufirit me Rusinë.

Separatistët pro-Rusisë që janë strehuar në godinën shtetërore të sigurisë në qytetin e Luhanskit thonë se qeveria ukrainase po përpiqet që të dobësojë përpjekjet e tyre për të bërë një referendum për pavarësinë nga Kievi.

“Autoritetet po përpiqen të na diskreditojnë dhe të na bëjnë t’i kthejmë armë kundër njëri-tjetrit. Ata po përpiqen t’i shtyjnë të rinjtë tanë që kanë shërbyer apo nuk kanë shërbyer në ushtri, që të rrokin armët dhe të shkojnë në kufirin me Rusinë. Ne nuk duhet t’i lejojmë ata ta bëjnë një gjë të tillë”.

Protestuesit kanë pasur bisedime me zyrtarë të Ukrainës për zbutjen e tensioneve, dhe këto bisedime po ndiqen me kujdes nga Uashingtoni.

Diplomatja amerikane Victoria Nuland i tha një komisioni të Kongresit amerikan dje, se kishte të dhëna për përfshirje ruse në marrjen nën kontroll të ndërtesave dhe paralajmëroi për pasoja nëse “veprimet e tyre agresive” nuk marrin përgjigje.

“Ngjarjet në Ukrainë janë një kambanë alarmi për të gjithë ne. Gjithçka që ne kemi mbrojtur për mbi 40 vjet si komunitet vendesh të lira rrezikohet nëse lejojmë mosndëshkimin e veprimeve agresive”.


Zonja Nuland u tha gjithashtu ligjvënësve se diplomatët amerikanë nuk kanë shpresa të mëdha për bisedimet e javës së ardhshme me diplomatë të lartë nga Ukraina, Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme ruse u përpoq përsëri që të mos i jepte shumë rëndësi grumbullimit të trupave, duke thënë se forcat ruse nuk kanë ndërmarrë ndonjë aktivitet të pazakontë në rajonet e kufirit.
XS
SM
MD
LG