Lidhje

Histori: Çfarë ka ndodhur më 13 prill?

  • Astrit Lulushi

Battle of Abydos

Battle of Abydos

989 - Beteja e Abidosit: perandori bizantin Basilius II fiton ndaj Bardas Phocas. Perandori kërkoi ndihmë nga princi Vladimir i Kievit, dhe princi kërkoi si shkëmbim konvertimin në të krishterë per vete dhe banorët e tij, duke shënuar fillimin e krishtërimit ortodoks rus.

1870 - Themelohet Muzeu i Artit Metropolitan New York - më i madhi në Shtetet e Bashkuara, dhe një nga dhjetë muzeumet më të mëdhenj të artit në botë.

1909 - Ushtria turke shpëton nga grusht shteti Sulltanin Abdul Hamid II. Shpesh i njohur si Sulltan i Kuq ose Abdul i Mallkuar për shkak të krimeve të kryera ndaj pakicave të Perandorisë dhe përdorimit të një policie sekrete për të heshtur mospajtimin, ai vuante nga paranoja. Kjo frikë e madhe u realizua me luftën me Rusinë më 1877; konflikti përfundoi në shkurt 1878 me fitoren ruse dhe Paqen e Shën Stefanit; Si kusht, Perandoria Osmane lejoi pavarësinë e Rumanisë, Serbisë, Malit të Zi; dhe autonomi për Bullgarinë. Traktati u rishikua më vonë në Kongresin e Berlinit në mënyrë që të zvogëloheshin avantazhet e shumta të fituara nga Rusia. Por probleme u krijuan mbi çështjen shqiptare si rezultat i Lidhjes së Prizrenit që ishte krijuar për të mbrojtur trojet shqiptare. Lidhja u shtyp nga sulltan Hamidi.

1919 - Eugene V. Debs burgoset për ngritje zëri kundër rekrutimit gjatë Luftës I. Debs njihet si sindikalist dhe pesë herë kandidati i Partisë Socialiste të Amerikës për president të Shteteve të Bashkuara.

1920 - Esad Pashë Toptani ndërmerr një përpjekje të re (të fundit) me dhunë për t'u bërë mbret i Shqipërisë së tij të mesme. Qeveria në Tiranë paralajmëroi popullatën kundër pjesmarrjes në veprimet e Esadit, duke thëne se ai financohej nga jugosllavët, të cilët kishin pretendime e tyre ndaj Shqipërisë veriore.

Lëvizja esadiste u shkatërrua nga forca të armatosura, të komanduara nga Bajram Curri, nën urdhërat e Ahmed Zogut si ministër i Brendshëm. 72 udhëheqës kryesorë esadistë - përfshi ish prefektët e Tiranës dhe Durrësit, shefin e xhandërmarisë së Shijakut, si dhe nipin e Esadit, Veli bej Kruja - dolën para një gjykate ushtarake dhe u dënuan në burgun e Kalasë, Gjirokastër.

Gjatë kësaj kohe Esad Pasha kishte shkuar në Paris, Francë, ku pas një muaji (13 qershor) do të vritej me atentat nga Avni Rustemi - student shqiptar - i cili "kishte ardhur në Paris për të vrarë një tradhëtar të kombit të vet", do të shprehej avokati. Gjykata franceze e shpalli Avniun fajtor për vrasje politike dhe e dënoi atë me gjobë (1 frank).

Rustemi 24 vjeçar, pagoi gjobën, u lirua në sallën e gjyqit, dhe u kthye në Shqipëri ku u prit si hero; qeveria i lidhi pension; më pas u bë anëtar udhëheqës i Klubit Bashkimi, i Partisë Demokratike të Fan Nolit, dhe anëtar parlamenti. Edhe Rustemi me atentat u vra; u qëllua me plumba në Tiranë më 20 prill 1924, dhe vdiq në spital pas dy ditësh nga plagët e marra; vdekja e tij do të shfrytëzohej politikisht, dhe demokratë erdhën në pushtet duke përmbysur me dhunë një qeverie të zgjedhur.

1934 - Kriza e madhe ekonomike; 47 milionë familje amerikane jetojnë me ndihma sociale.

1943 - Nazistët zbulojnë varrezën masive të oficerëve polakë pranë Katynit. Ata kishin qenë robër të sovjetikëve. Bashkimi Sovjetik e mohoi përgjegjësinë për vrasjen e tyre. Në nëntor 2010, parlamenti Rus (Duma)Duma miratoi një deklaratë duke fajësuar Stalinin dhe zyrtarë të tjerë sovjetikë për urdhërimin e masakrës. Numri i viktimave është vlerësuar në rreth 22.000, dhe përbënin ajkë e Polonisë: admiralë, gjeneralë, kolonelë, zyrtarë, profesorë universiteti, mjekë; avokatë, inxhinierë, mësues, mbi 100 shkrimtarë dhe gazetarë; të gjithë të përzgjedhur për t'u vrarë pasi ishin cilësuar si kundërshtarë të mundshëmnë të ardhmen kur sovjetikët të merrnin kontrollin e Polonisë. (The Katyn Controversy: Stalin's Killing Field". by Fischer, Benjamin B. Studies in Intelligence, Winter 1999 - 2000).

1943 - Përmendorja Jefferson përkushtohet në Uashington, DC, në 200 vjetorin e lindjes së presidentit Thomas Jefferson.

1945 - Trupat gjermane vrasin më shumë se 1.000 të burgosur politikë dhe ushtarakë në Gardelegen, Gjermani.

1945 - Lufta e Dytë Botërore : forcat sovjetike dhe bullgare marrin Vjenën, Austri.

1953 - Drejtori i CIA-s Allen Dulles nis programin e kontrollit te mendjes MKULTRA. Qëllimi i projektit ishte i gjerë, me hulumtime të ndërmarra në 80 institucione, duke përfshirë 44 kolegje dhe universitete, si dhe spitale, burgje dhe kompani farmaceutike. Në korrik 2001 disa informacione në lidhje këtë program u deklasifikuan zyrtarisht.

1954 - Fizikanti amerikan Robert Oppenheimer (krijuesi i bombës bërthamore) akuzohet si komunist. Ai i mohoi akuzat, por tha se pajtohet me shumë nga objektivat e komunizmit, megjithëse nuk është i gatshmëm të ndjekë verbërisht urdhra nga ndonjë organizatë kmuniste.

1959 - Vatikani shpall dekretin që ndalon katolikët të votojnë për komunistët

1964 - Sidney Poitier bëhet i pari afrikano-amerikan që merr çmimin Oscar si aktori më i mirë në filmin "Lilies of the Fields". Filmi tregon mbi një murator shtetitës që ndeshet me disa murgesha gjermane të cilat besojnë se ai ishte dërguar nga Perëndia për t'u ngritur atyre një kishëz të re.

Mendi i ditës
"Nuk është nevoja të bëhesh diçka që nuk je për të qenë më i mirë sesa ishe"
Sidney Poitier
XS
SM
MD
LG