Lidhje

Histori: Çfarë ka ndodhur më 14 prill?

  • Astrit Lulushi

Battle of Mutina

Battle of Mutina

43 pes - Beteja e Forum Gallorum: Mark Antony rrethon vrasësin e Jul Cezarit, Decimus Brutus në Mutina (Modena) dhe mposhti forcat e e tij, por më pas mundet menjëherë nga ushtria e konsullit tjetër, Aulus Hirtius – Hirtius njihet edhe si historian ushtarak; vetëm letërkëmbimi i tij me Ciceronin u botua në nëntë vëllime, por asnjë nuk arriti t’i mbijetojë kohës.

70 - Rrethimi i Jeruzalemit: Titus, biri i perandorit Vespasian, rrethon kryeqytetin hebre, me katër legjione romake. Rrethimi përfundoi me marrjen e qytetit dhe shkatërrimin e tempullit të tij të famshëm. Për të festuar këtë fitore, Harku i Titus u ngrit në Romë, ku ende qëndron. Josephus, historian i asaj periudhe, shkruan se mbi 1 milion njerëz u vranë gjatë rrethimit, nga të cilët shumica ishin hebrenj, dhe rreth 100.000 u skllavëruan. Shumë të tjerë ikën në zonat rreth Mesdheut. Titus refuzoi të pranojë kurorë për fitoren, duke thënë se fitorja nuk erdhi nga përpjekjet e tij, por ai thjesht shërbeu si instrument i zemërimit të Perëndisë.

966 - Pas martesës me një të krishtere të Bohemisë, sunduesi pagan i polakëve, Mieszko, konvertohet në të krishterë; kjo ngjarje konsiderohet si zanafilla e shtetit polak.

1205 – Zhvillohet beteja e Adrianopojë midis bullgarëve dhe kryqtarëve nën Boulduinin, i cili vetëm disa muaj më parë ishte vetë-kurorëzuar Perandor i Konstandinopojës. Beteja u fitua nga bullgarët, të cilët e kapën perandorin dhe e burgosën. Një vit më parë (1204), ushtritë e Kryqëzatës së Katërt kishin devijuar nga qëllimi i tyre për marrjen e Jeruzalemit nga myslimanët dhe në vend të tij, pushtuan qytetin e krishterë të Konstandinopojës, kryeqytet i perandorisë bizantine. Mbretëria bullgare dhe pjesa e mbetur nga perandoria shpejt u bashkuan kundër Perandorisë të sapo themeluar Latine.

1816 - Bussa, skllav në koloninë britanike të Barbadosit, udhëheq një rebelim të skllevërve dhe mbeti i vrarë. Bussa përkujtohet sot si heroi i parë kombëtar i Barbadosit.

1828 - Noah Webster merr të drejtat e autorit për botimin e parë të fjalorit të tij. Emri Webster sot është sinonim i "fjalorit" në Shtetet e Bashkuara, sidomos me fjalorin modern Merriam – Webster, që njihet si i pari fjalor amerikan i gjuhës angleze. Noah Webster, leksograf, konsiderohet si një nga themeluesit e kombit amerikan.

1846 - Grupi Donner i kolonëve niset nga Springfield, Illinois, për Kaliforni, në atë që do të bëhet një udhëtim një-vjeçar i vështirë dhe kanibalizëm për mbijetese.

1849 - Hungaria shpall veten të pavarur nga Austria, me Lajos Kossuth si udhëheqësin e saj.

1865 - Presidenti amerikan Abraham Linkoln qëllohet me plumb në Teatrin Ford në Uashington, DC, nga John Wilkes Booth, i cili si aktor i njohur, nuk e pati të vështirë të hynte në lozhën private të presidentit në teatër, ndërsa ky ishte duke ndjekur një dramë. Pasi e qëlloi Linkolnin në kokë revolver, Booth u hodh nga lozha në skenë, duke thirrur, "Sic sempre tyrannis!" - "Kështu gjithmonë tiranëve!” (motoja e shtetit të Virxhinias) dhe shprehja e Brutit kur vrau Cezarin, sipas fjalëve të Shekspirit; Kur u hodhnë skenë, Booth theu këmbën por arriti të dilte nga teatri, i hypi një kali, dhe iku në Virxhinia, ku u vra nga forcat që e ndoqën në një hambar pranë Port Royal, Virginia. Linkolni vdiq të nesërmen, më15 prill, në mëngjesn

1889 – Lindi Arnold Joseph Toynbee, filozof britanik, historian, autor i shumë librave, përfshi "The Murderrous Tyrany of the Turks”, në të cilën ai shkroi “..ushtria turke u angazhua në asgjësimin e shqiptarëve, sepse këta kishin një frymë jo- osmane kombëtare të tyre”. Toynbee njihet për librin “A Study of History” (1934-1961) me 12 vëllime; përmes kësaj vepre ai ekzaminon ngritjen dhe rënien e 26 qytetërimeve në rrjedhën e historisë njerëzore, dhe nxjerr në përfundimin se këto qytetërime u rritën duke iu përgjigjur me sukses sfidave nën udhëheqjen e pakicës krijuese. Toynbee (v. 1975) e shihte rënien e qytetërimeve si proces shpirtëror, duke shkruar se “Njeriu arrin qytetërimin, jo si rezultat i dhuntisë biologjike ose mjedisit gjeografik, por si përgjigje ndaj një sfide të caktuar në një situatë të vështirë të veçantë e cila e shtynë atë për të bërë përpjekje të papara deri atëherë”.

1912 – Anija britanike e udhëtarëve RMS Titanic godet një ajsberg në Atlantikun e Veriut në 23:40 (mëngjesin e 15 prill, Titaniku ishte fundosur plotësisht.

1927 - Makina e parë Volvo prodhohet në Gothenburg, Suedi.

1942 - Malta merr Kryqin Xhorxh për trimëri. Ky kryq iu dha nga vetë Mbreti Xhorxh VI i Britanisë dhe është tani emblemë në flamurin kombëtar maltez.

1956 - Në Chicago, Illinois, demostrohet për here të parë videokaseta, e cila do të mbizotëronte tregun e regjistrimeve televizive deri në zhvillimin e Disqeve Compakt, CD e më pas DVD.

Mendim i ditës
“Shoqëritë vdesin nga vetëvrasja apo vrasja (pothuajse gjithmonë nga vetëvrasja), por asnjehërë nga shkaqe natyrore”.
Arnold Joseph Toynbee
XS
SM
MD
LG