Lidhje

Shqipëri, Përplasje për reformën territoriale


Opozita paralajmëron protesta ndaj një vendimi të njëanshëm. Kreu i PD: Duan të bëjnë vetëm një hartë elektorale. Meta: Protestat absurde

Në Shqipëri, kryetari i partisë demokartike Lulzim Basha pohoi edhe një herë sot se opozita nuk do të pranojë një reformë administrativo territoriale të hartuar në mënyrë të njëanshme. Deklarata e tij erdhi si reagim i paralajmërimeve të shumicës se nuk do të presin më që e djathta të bëhet pjesë e komisionit parlamentar për reformën. Zoti Basha përsëriti dhe një herë se opozita do të reagojë me protesta ndaj një reforme që sipas tij po bëhet vetëm me qëllime elektorale. Ndërsa kryetari i parlamentit Ilir Meta nënvizoi se sipas tij opozita po refuzon një ofertë bujare

Shumica dhe opozita në Shqipëri dështuan javë më parë të gjenin një kompromis për të bashkëpunuar për reformën adminisrativo territoriale. Shkëmbimi i ftesave dhe letrave publike mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha nuk solli asgjë të re. Kryeministri deklaroi se opozita po kërkon blllokimin e procesit, ndërsa zoti Basha u shpreh se atyre nuk ju ofrua konsensusi i kërkuar.

Javën e shkuar në parlament përfaqësuesit e shumicës deklaruan se nuk mund të prisnin më tej që opozita të bëhej pjesë e komisionit të reformës, duke paralajmëruar se do të vepronin të vetëm. Por sot në një takim me të zgjedhurit vendor, zoti Basha tha se në të vërtetë e majta e ka paravendosur hartën territoriale: “Vëmendja e tyre është fikusuar vetëm dhe ekskluzivisht tek ndryshimi i kufijve administrativë, pa konsideruar parësisht çështjet e dorës së parë, të decentralizimit, demokracisë vendore, autonomisë, përgjegjësive e kompetencave. Gjithë ky nxitim dhe gjithë ky turr, gjithë këto gafa, padisin para opinionit publik ashiqare, padurimin e tyre për të shfrytëzuar një reformë të nevojshme, administrative-territoriale për të bërë asgjë më shumë se një hartë të re elektorale, siç e kanë menduar dhe siç e mendojnë vetë duke përfshirë në to salamandrat e shëmtuara elektorale, në funksion të deformimit të zgjedhjeve vendore dhe politike”.

Kreu i opozitës bëri edhe një herë thirrje për konsensus duke paralajmëruar se “refuzimi dramatik i bashkëjetesës politike” do të ishte sipas tij me pasoja për vendin: “Tentativat e z. Rama për ta bërë fakt të kryer njëanshmërinë kundër gjithëpërfshirjes, duke spekuluar me një shumicë të cilësuar tavoline, që nuk ka dalë nga kutitë e votimit por që nuk do të ishte e mjaftueshme edhe po të ishte e tillë, do të provokojë reagimin tonë të fuqishëm në emër të kushtetutës, në emër të traditës së mirë dhe ta pathyer të konsensusit për këtë reformë. Sëbashku do të shkëmbejmë mendimet, do të dëgjojmë njëri-tjetrin për të përcaktuar dinamikën e këtyre përgatitjeve nëse detyrohemi të nisim betejën tonë në rrugë dhe sheshe. Një gjë duhet ta bëjmë të qartë, vetëm pranimi i konsensusit mund të na kthejë nga kjo rrugë, asgjë tjetër", deklaroi zoti Basha.

Shumica nga ana e saj thotë se po e pret opozitën prej një kohe të gjatë dhe se i ka ofruar asaj konsensusin e nevojshëm, sic u shpreh kreu i parlamentit Ilir Meta: “Në të kaluarën asnjë mazhorancë nuk i ka pasur votat për të bërë këtë reformë kaq të rëndësishme. Ndërsa sot , edhe pse këto vota janë, përsëri prej gati tre muajsh ne jemi duke pritur opozitën që të marrë përgjegjësitë e saj në ndërmarrjen e kësaj Reforme me të vetmin qëllim, realizmin e standardeve evropiane edhe në riorganizimin administrativ dhe territorial të vendit”.

Ndërsa parlajmërimet për protesta zoti Meta i konsideroi absurde: “Kërcënimi për protesta mbetet një e drejtë e opozitës, por padyshim që tingëllon absurde kur refuzon këtë konsensus të ofruar në mënyrën më bujare”.

Shumica është e vendosur që të mbyllë procesin e reformës brenda verës së këtij viti. Koha ne dispozicion për të gjetur një marrëveshje duket e shkurtër, aq më tepër kur dhe pozicionet e palëve mbeten larg njëra tjetrës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG