Lidhje

Ukraina, operacione kundër demonstruesve pro-rusë


Trupat ukrainase morën kontrollin e një aeroporti të vogël në lindje të vendit, veprimi i parë i Kievit kundër separatistëve pro-rusë, që kanë marrë kontrollin e disa objekteve shtetërore. Presidenti i përkohshëm i Ukrainës Oleksander Turchynov thotë se ka nisur një operacion ushtarak ndaj demonstruesve pro-rusë, të cilët kanë marrë ndërtesat shtetërore në disa qytete të Ukrainës lindore. Qeveritë perëndimore thonë se pas protestave qëndrojnë veprimet e Rusisë dhe ato po i bëjnë thirrje Moskës të përdorë ndikimin e saj tek protestuesit për të zgjidhur krizën.

Presidenti Turchynov u tha të hënën ligjvënësve se forcat qeveritare kanë filluar një operacion në rajonin Donetsk për të rimarë nën kontroll ndërtesat qeveritare.

"Dua t'ju informoj se gjatë natës kanë filluar operacione anti-terroriste në veri të rajonit Donetsk. Ato do të zhvillohen gradualisht, me kujdes dhe përgjegjësi. Dua të theksoj se qëllimi i këtyre operacioneve është të mbrohen qytetarët e Ukrainës, të ndalet terrorri, të ndalen kriminelët dhe të ndalen përpjekjet për përçarjen e vendit tonë."

Protestuesit pro-rusë vazhdojnë të mbajnë nën kontroll ndërtesat qeveritare në disa qytete në Ukrainën lindore.

Qeveritë perëndimore akuzojnë Rusinë si nxitëse të protestave. Rusia ka grumbulluar mijëra forca në kufi me Ukrainën.

Ndërsa arriti në Luksemburg për të marrë pjesë në takimin e ministrave të mbrojtjes të BE-së, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmusen i bëri thirrje Rusisë të tërheqë trupat e saj nga kufiri me Ukrainën dhe të ndalë destabilizimin e vendit.

“I bëj thirrje Rusisë të ulë tensionin e krizës, të tërheqë trupat nga kufijtë, të ndalë destabilizimin e situatës në Ukrainë dhe të bëjë të qartë se ajo nuk i mbështet veprimet e dhunshme të separatistëve pro-rusë. Rusia duhet të pushojë së qeni pjesë e problemit dhe të fillojë të jetë pjesë e zgjidhjes.”

Për të diskutuar mbi krizën në Ukrainë, është planifikuar që të enjten të zhvillohen në Gjenevë të Zvicrës bisedime shumëpalëshe, që pritet të përfshijnë Rusinë, Ukrainën, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.

Por ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha sot gjatë një vizite në Kinë se Moska do të tërhiqet nga ky takim ndërkombëtar, nëse Kievi përdor forcën në UkrainëN lindore.

"Nuk mund të dërgosh tanke kundër shtetasve të tu dhe në të njëjtën kohë të zhvillosh bisedime. E kam thënë shumë herë, se përdorimi i forcës në juglindje të Ukrainës do të sabotojë mundësinë për bisedimet katërpalëshe të planifikuara këtë javë në Gjenevë."

Analistja e njohur e çështjeve ruse, Maria Lipman me Qendrën Carnegie të Moskës, thotë se në bisedimet shumëpalëshe të Gjenevës nuk ka gjasa të arrihet përparim thelbësor për zgjidhjen e krizës ukrainase.

"Nëse bisedimet zhvillohen , nuk mendoj se duhet të presim ndonjë përparim të konsiderueshëm mbi këtë çështje. Megjithatë mendoj se është mirë në se konferenca arrin të realizohet, pasi nëse palët e përfshira në këtë krizë bisedojnë me njëra-tjetrën, është më mirë sesa mos të ketë bisedime fare."

Zonja Lipman thotë se Rusia kërkon t’i vërtetojë botës se qeveria në Kiev nuk është në gjendje të kontrollojë territorin e vet.

Presidenti amerikan Barak Obama paralajmëroi Presidenti rus Vladimir Putin në një bisedë telefonike të hënën se Moska do të përballet me sanksione të tjera nëse veprimet e saj në Ukrainë vazhdojnë. Ai i kërkoi gjithashtu udhëheqësit rus të përdorë ndikimin e tij për të bindur demonstruesit që të largohen nga ndërtesat që kanë marrë.

Nga ana e tij, zoti Putin i bëri thirrje zotit Obama t’i kërkojë qeverisë së Ukrainës të mos përdorë forcë kundër protestuesve.
XS
SM
MD
LG